Shëndetësi

Zbulim i ri shkencor: Mjeti që zbulon ‘moshën e vërtetë’ të zemrës, mund të parandalojë sëmundjet kardiovaskulare

Një mjet i ri shkencor që mund të zbulojë se sa vërtet “e plakur” është zemra juaj në krahasim me moshën reale, është zhvilluar nga studiues në Mbretërinë e Bashkuar dhe pritet të sjellë ndryshime në mënyrën si këshillohen pacientët në rrezik për sëmundje të zemrës.

Studiuesit nga Universiteti i Anglisë Lindore (UEA) analizuan të dhënat nga skanimet MRI të 557 individëve në Britani, Spanjë dhe Singapor, përfshirë persona me obezitet, diabet ose presion të lartë të gjakut. Duke matur faktorë si madhësia e dhomave të zemrës dhe efikasiteti i saj në pompimin e gjakut, ata zhvilluan një formulë që përcakton “moshën funksionale” të këtij organi jetik.

Sipas studimit të publikuar në European Heart Journal, zemrat e njerëzve me faktorë rreziku rezultuan mesatarisht 4.6 vjet më të vjetra se mosha e tyre biologjike. Në disa raste, plakja ishte për dekada më e avancuar.

“Mosha funksionale e zemrës është një sinjal alarmi për pacientët që ndoshta janë në rrezik, edhe nëse ndihen mirë fizikisht”, tha Dr. Pankaj Garg, kardiolog dhe autori kryesor i studimit. Ai theksoi se mjeti mund të ndihmojë mjekët të identifikojnë më herët pacientët në rrezik dhe t’u ofrojnë këshilla të personalizuara për ndryshime në stilin e jetës, si ushqyerje më e shëndetshme dhe aktivitet fizik.

Megjithëse rezultatet janë premtuese, mjeti ka disa kufizime – si madhësia e vogël e grupit të studimit dhe mungesa e informacionit për kohëzgjatjen e problemeve shëndetësore. Studiuesit nënvizojnë nevojën për testime më të gjera përpara se të përdoret gjerësisht në praktikën klinike.

Sidoqoftë, ata shpresojnë se mjeti do të kthehet në një ndihmës të vlefshëm për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve kardiovaskulare. “Bëhet fjalë për t’u dhënë njerëzve një shans për të luftuar sëmundjet e zemrës”, përfundoi Dr. Garg.

Të Ngjashme