Në zgjatimet e flokëve, osesiç quhen rëndom “ekstenshën”,janë zbuluar dhjetëra kimikate të rrezikshme, disa prej tyre të lidhura me kancerin dhe çrregullime hormonale. Shkencëtarët paralajmërojnë se gratë me ngjyrë janë sidomos të ekspozuara ndaj rreziqeve, duke kërkuar ndërhyrje nga rregullatorët dhe qeveritë.
Zgjatimet, si ato me flokë natyralë ashtu edhe sintetike, trajtohen shpesh me kimikate për pastrim dhe për t’i bërë rezistente ndaj flakës. Megjithatë, sipas dr. Elissia Franklin-it nga Silent Spring Institute në Massachusetts, kompanitë rrallë zbulojnë se cilat substanca përdorin, duke i lënë konsumatorët pa informacion për rreziqet nga përdorimi afatgjatë.
Në studim u testuan 43 produkte të blera online dhe në dyqane lokale, përfshirë produkte me materiale sintetike si Kanekalon, Aquatex, Spetra dhe Mastermix. Studiuesit identifikuan rreth 900 “gjurmë” kimike dhe, përmes inteligjencës artificiale, zbuluan 169 kimikate të ndryshme. Pothuajse të gjitha mostrat përmbanin substanca të rrezikshme, përfshirë ngadalësues flake, ftalate dhe pesticide. Në 36 mostra u gjetën 17 kimikate të lidhura me kancerin e gjirit. Gati një në 10 mostra përmbante edhe organotinë toksike, të përdorura zakonisht si pesticide dhe stabilizues plastikë, të rregulluara rreptësisht në Britani dhe BE.
Gjetjet u publikuan në revistën shkencore Environment & Health të American Chemical Society. Organizata Level Up tha se studimi konfirmon shqetësimet e ngritura prej vitesh nga gratë me ngjyrë për ekspozimin ndaj kimikateve që shkaktojnë kancer dhe sëmundje të tjera serioze, si dështimi i veshkave dhe fibromat.
Ekspertë të tjerë theksojnë mungesën e transparencës për përbërësit në këto produkte, gjë që e bën të vështirë për profesionistët dhe konsumatorët të marrin vendime të informuara. Ata kërkojnë rregulla më të forta sigurie për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve. / Independent – Syri.net
