Zyrtarët doganorë të Doganës së Kosovës, gjatë kontrolleve në Pikën e Kalimit Kufitar Jarinjë, kanë ndaluar një autobus të linjës së rregullt ndërkombëtare.
Sipas Doganës, gjatë kontrollit të bagazheve të pasagjerëve është identifikuar një valixhe që përmbante një sasi të konsiderueshme barnash dhe produktesh farmaceutike, të cilat nuk janë deklaruar pranë autoriteteve doganore.
Nga kontrolli janë evidentuar gjithsej 7,168 produkte farmaceutike, prej të cilave 7,100 kanë qenë në formë kapsulash, ndërsa 68 produkte kanë qenë në forma të tjera farmaceutike, përfshirë shurupe, sprej dhe xhel.
“Meqenëse asnjëri nga pasagjerët nuk e ka pranuar pronësinë mbi bagazhin, në përputhje me dispozitat e Ligjit Nr. 08/L-247 – Kodi Doganor dhe i Akcizave, procedura kundërvajtëse është iniciuar ndaj kompanisë transportuese, si subjekt përgjegjës për transportin e mallrave dhe bagazheve në rastet kur nuk identifikohet pronari i tyre. Mallrat e padeklaruara janë ndaluar dhe janë ndërmarrë veprimet e mëtejshme procedurale sipas kompetencave të Doganës së Kosovës.Kodi Doganor dhe i Akcizave përcakton detyrimin ligjor për deklarimin e çdo malli që i nënshtrohet kontrollit doganor, ndërsa mosdeklarimi ose tentimi për shmangie të procedurave doganore përbën shkelje doganore dhe i nënshtrohet masave administrative dhe kundërvajtëse të parapara me ligj”, thuhet në njoftimin e Doganës./teve1.info/
