Këngëtarja australiane, Delta Goodrem, mund të mos e ketë fituar Festivalin e Këngës në Eurovision 2026, por shumë pajtohen se fustani i saj ishte një nga momentet më të paharrueshme të mbrëmjes.
Artistja performoi në Vjenë të shtunën me një krijim luksoz prej ari të zbukuruar me kristale, vlera e të cilit arrin rreth 14 mijë euro.
Fustani u krijua në bashkëpunim midis stilistes australiane Nicky Apostolopoulos dhe markës së saj ‘Velani’, argjendarisë ‘House of Emmanuele’ dhe stilistes Tori Knowles.
Fustani u punua për 500 orë dhe është i zbukuruar me shtatë mijë kristale Swarovski.
E gjithë pamja u frymëzua nga kënga “Eclipse”, një baladë e fuqishme që Delta performoi në skenën e Eurovisionit.
“Krijimi i fustanit të Deltës për Eurovisionin ishte një udhëtim i vërtetë mode – një bashkim kreativiteti, aftësie dhe bashkëpunimi të fortë”, shkroi stilistja Nicky Apostolopoulos në Instagram.
Ajo shtoi se çdo detaj ishte krijuar me kujdes dhe me një ide të veçantë pas tij.
“7,000 kristale Swarovski, 500 orë punë dhe një pasion i përbashkët për të krijuar diçka të paharrueshme për skenën botërore”.
Edhe pse përfundoi në vendin e katërt, Delta u konsiderua si një nga të preferuarat e publikut gjatë gjithë konkursit.
Ajo fitoi gjithsej 287 pikë për performancën e saj dhe e emocionoi publikun me interpretimin e këngës “Eclipse”. /Telegrafi
