ShowBizzz

Zbulohet data e publikimit të albumit të ri të Yll Limanit

Albumi i ri i Ylli Limanit është vetëm pak ditë larg! Shkronjat “TSN” në një sfond vjollcë ishte ngacmimi i parë i këngëtarit disa javë më parë pasi fshiu të gjitha postimet në rrjetet sociale.

Ylli njoftoi se një album po vinte, por pa e zbuluar ende kuptimin e shkronjave. Më pas erdhi kënga “Era”, e shkëputur nga albumi, titullin e plotë të të cilit më në fund e ka publikuar, bashkë me datën.

“TSN” është akronimi i “Thirrëm Sot ose Nesër” dhe del më 18 dhjetor. Në të janë përfshirë 16 këngë të cilat sipas tij, janë kaosi emocional i dy viteve të fundit.

Për historitë e papërfunduara, për pritjen, shpresën dhe lamtumirën, shkruan Ylli.

Albumi im i dytë “Thirrëm Sot ose Nesër” që del më 18/12/25, është kaosi emocional i 2 viteve të fundit, i përmbledhur në 16 këngë.

Është për historitë që nuk kryhen kurrë, që janë aty edhe munden të ndodhin prapë… sot ose nesër. Për thirrjet që munden të të kthejnë pas ose të të çojnë përpara. Ky album është një pritje, shpresë, po edhe një lloj lamtumire e butë. Është për neve që vazhdojmë përpara, por gjithmonë e kthejmë kokën pak pas.

Nuk e di ç’ka do t’ju japë ky album. Ndoshta ua kujton dikë, ndoshta ju disponon, ndoshta ju prek diku ku s’e prisni hiç. Veç një gjë e di me siguri: e kam bërë me krejt zemrën edhe s’kam lënë kurrgjë pa thënë.

Faleminderit që jeni me mua… dje, sot, nesër.

Ju dua!

Ai ka publikuar edhe titujt e këngëve:

“Ajr”, “O sa mirë pa ty”, “Me ta ni”, “Era”, “Ma shumë se unë”, “Rruga”, “No.1”, “Kisha dashtë me t’fal”, “F – Stupid”, “Mjegulla”, “Kthem”, “Faaaj”, “Po nisna sonte”, “Taxi” “Ditë e natë” dhe “Gjithë jom kon i mirë me ik.”

“TSN” vjen pas dy vitesh nga albumi “Tjetër” që u publikua në dhjetor 2023, i cili përmban 12 këngë. Albumi i mëparshëm ishte vizual ku çdo këngë qe realizuar me videoklip, ndaj pritet të shihet nëse Ylli do të veprojë njësoj edhe me këtë projekt.