Lajme

​Zbulohet fati i Pallatit të Rinisë, investimi gjigant prej 50 milionë eurosh dhe afati kur pritet të përfundojë gjithçka

Një investim madhor pritet të transformojë njërën prej ikonave të arkitekturës në Prishtinë, Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.

Në prag të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, është arritur një marrëveshje mes Ministrisë së Kulturës dhe Bankës Evropiane për një kredi afatgjate, vlera fillestare e së cilës kap shifrën e 50 milionë eurove.

Ky fond do të shërbejë për renovimin dhe revitalizimin e plotë të kompleksit prej rreth 50,000 metra katrorë, i cili prej vitesh ka mbetur në gjendje të rënduar, veçanërisht salla e madhe e djegur rreth 20 vite më parë.

Plani synon kthimin e objektit në gjendjen e tij të mëparshme, duke e rigjeneruar me të gjitha hapësirat përbërëse, përfshirë sallat e ndryshme sportive dhe ambientet e tjera.

Drejtori i departamentit të transformimeve në Komunën e Prishtinës, Gëzim Kastrati, bënë të ditur se qëllimi kryesor është rikthimi këtij objekti në funksionalitetin që ka pasur dikur.

“Ideja është që ky kompleks që ka qenë dikur, të kthehet në gjendjen që ka qenë. Do të thotë, të revitalizohet, të rigjenerohet me të gjitha premisat, duke filluar edhe ato sallat e ndryshme të sporteve poshtë, edhe salla e madhe e cila është e djegur tash e 20 vite, dhe mendoj që e kemi obligim ne si shoqëri edhe njerëz të këtij vendi që së paku ta kthejmë në atë gjendje e cila ka qenë dikur”, vijon tutje Kastrati.

Duke folur për afatet kohore, Kastrati shprehet optimist se faza e projektimit mund të përfundojë brenda një periudhe relativisht të shkurtër, ndërsa punimet e renovimit nuk pritet të zgjasin më shumë se dy vite.

“Sa i përket projektit besoj që brenda gjashtë muajsh, një vit duhet të kryhet. Edhe nëse jemi, që nga 2027-ta të hyjmë në renovim të pallatit, unë mendoj që më shumë se dy vite nuk ka nevojë të zgjasë kjo, pasi që dihet që tërë ky kompleks me 50,000 metra katrorë, dikur nga kompania që ka qenë “Ramiz Sadiku”, do të thotë punëtorë që kanë qenë të këtij qyteti, të këtij vendi, me kontributet e qytetarëve të Prishtinës, kanë arritur për katër vite ta bëjnë këtë pallat në vitin 1980. E tash 2026-ta, nuk ka arsye me zgjatë më shumë se dy vite renovim komplet”, shtoi Kastrati për KP.

Në aspektin financiar, Kastrati bën të ditur se është siguruar një bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Bankës Evropiane, përmes së cilit është planifikuar një kredi në vlerë prej 50 milionë euro.

Duke iu referuar Lojërave Mesdhetare, Kastrati thekson se ky organizim për Kosovën përfaqëson shumë më tepër sesa një ngjarje sportive. Sipas tij, këto lojëra janë një test serioz për kapacitetet organizative dhe bashkëpunimin institucional të vendit, duke shtuar se paraqitja dinjitoze është thelbësore për imazhin e Kosovës në sytë e Evropës.

Organizimi i Lojërave Mesdhetare shihet si një “test kombëtar” për Kosovën, një mundësi për të dëshmuar kapacitetet organizative dhe për të shtyrë përpara zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme sportive

Të Ngjashme