Arkeologët kanë zbuluar një qytet të ruajtur në mënyrë të jashtëzakonshme të periudhës bizantine në oazin Dakhla të Egjiptit, që daton në shekullin IV. Qyteti përfshin lagje banimi, struktura fetare dhe një bazilikë të ndërtuar në stilin e kishave të hershme.
Gjatë gërmimeve janë gjetur monedha, fragmente qeramike, vegla pune, furra buke, kuzhina, gurë bluarjeje si dhe monedha bronzi me portrete perandorësh bizantinë. Disa monedha ari i përkasin periudhës së perandorit romak Konstanci II (337–361).
Qyteti paraqet një plan urban të zhvilluar, me rrugë që kryqëzohen në drejtim veri-jug dhe lindje-perëndim, duke formuar sheshe. Në krye të vendbanimit ndodhej bazilika, ndërsa fortifikimet përfshinin kulla vrojtimi dhe mure mbrojtëse të fuqishme.
Një tjetër zbulim i rëndësishëm janë rreth 200 fragmente qeramike (ostraka) me mbishkrime që dokumentojnë transaksione tregtare dhe korrespondencë, duke ofruar një pasqyrë të jetës së përditshme bizantine.
Paralelisht, pranë Aleksandrisë në Marina el-Alamein, janë zbuluar 18 varre të periudhës greko-romake, përfshirë varre të gdhendura në shkëmb dhe të ndërtuara me gur gëlqeror. Në to u gjetën enë qeramike, amfora, llamba, altarë dhe një sarkofag graniti me mbetje skeletore. Disa të vdekurve u ishte vendosur një “gjuhë e artë” në gojë, një praktikë funerare e njohur në atë kohë.
Marina el-Alamein besohet të jetë qyteti portual i lashtë Leukaspis, i cili lulëzoi mes shekujve II dhe IV.
