Shëndetësi

Zbuloni vetitë dobiprurëse për organizmin të lëngut të domates dhe sojës

Pirja e lëngut të domates dhe sojës, i pasur me përbërës që në studimet me kafshë kanë treguar përfitime shëndetësore, uli proteinat pro-inflamatore te të rriturit e shëndetshëm me obezitet pas katër javësh, sipas një studimi të ri.

Studiuesit thonë se ky lëng mund të shërbejë si ushqim funksional që ndihmon në uljen e inflamacionit kronik, i cili lidhet me shumë sëmundje të vazhdueshme.

Lëngu përmbante nivele të larta të likopenit dhe izoflavoneve të sojës, dy përbërës bimorë me veti antioksiduese dhe anti-inflamatore. Krahasuar me një lëng pa këta përbërës, lëngu i domates dhe i sojës uli ndjeshëm nivelet në gjak të tri proteinave që tregojnë inflamacion sistemik.

“Qëllimi ishte të shihnim nëse ndërhyrjet me ushqim mund të ndikojnë te inflamacioni në mënyrë të matshme,” tha Jessica Cooperstone nga Universiteti Shtetëror i Ohajos.

Studimi, i botuar në revistën Molecular Nutrition & Food Research, përfshiu 12 të rritur me obezitet. Ata konsumuan çdo ditë dy kanaçe me lëng domate dhe soje për katër javë. Pas një periudhe pushimi, konsumuan për katër javë një lëng domateje pa nivele të larta likopeni.

Analizat e gjakut treguan se vetëm lëngu i domates dhe i sojës uli ndjeshëm disa citokina inflamatore, përfshirë IL-5, IL-12p70 dhe GM-CSF. U vu re edhe një ulje e proteinës TNF-a, megjithëse jo statistikisht domethënëse.

Studiuesit analizuan edhe urinën e pjesëmarrësve dhe zbuluan ndryshime në metabolitë, çka sugjeron se përbërësit e lëngut ndikojnë realisht në biologjinë e trupit.

Studime të mëparshme kishin lidhur domatet dhe sojën me rrezik më të ulët për kancerin e prostatës dhe me përmirësime në rrugët inflamatore dhe metabolike të lidhura me obezitetin.

Ekipi tani po teston nëse ky lëng mund të ndihmojë edhe pacientët me pankreatit kronik, për të ulur inflamacionin dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre.

Të Ngjashme