Lajme

Zemaj: Çështja e shujtave të FSK-së nuk duhet të kalojë pa ndëshkim politik dhe moral

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se janë mbledhur nënshkrimet nga opozita për një seancë në Kuvendin e Kosovës për çështjen e shujtave të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në një konferencë për media, ai ka deklaruar se është obligative që kjo gjë të diskutohet në Kuvendin e Kosovës.

“Dua të njoftojë se kemi mbledhur nënshkrimet për një seancë të jashtëzakonshme si grupe politike opozitare për të adresuar këtë çështje e cila është një përgjegjësi, një përgjegjësi e thellë edhe dështimit moral në atë që ne e kemi sentimentin kryesor, forcimin e ushtrisë së Kosovës”.

“Ky dështim dhe kjo qasje, kjo logjikë e qeverisë, sigurisht për interesa dhe afera korruptive që e kemi dëgjuar nuk duhet të kalojë pa ndëshkim politik dhe moral, edhe pa llogaridhënien para institucionit të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Zemaj.