Lajme

Zeqaj: Familja Jashari refuzoi kandidaturën për president për shkak të Asociacionit

Analisti Floren Zeqaj ka folur në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1 për arsyet pse familja Jashari nuk e ka pranuar kandidaturën për president.

Sipas tij, bazuar në informacionet që ka nga burime brenda familjes Jashari, gjatë një takimi me kryeministrin Albin Kurti është diskutuar edhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Zeqaj tha se familja Jashari i kishte kërkuar Kurtit që të tërhiqej nga pranimi i vetëmenaxhimit, duke kujtuar premtimet që ai kishte dhënë para se të vinte në pushtet.

“U përmend familja Jashari në bazë të burimeve dhe informacioneve që kam brenda kësaj familjeje. Kur ka ndodhur takimi i z. Kurti me familjen Jashari, ata i kanë thënë: ‘Z. kryeministër, ti ke premtuar që nuk do të ketë Zajednicë. Erdhe në pushtet dhe e pranove vetëmenaxhimin. E ke pushtetin dhe fuqinë, atëherë çka bëre?’”, ka deklaruar Zeqaj.

Ai shtoi se, sipas këtyre burimeve, familja Jashari kishte shprehur shqetësimin se si mund të pranohej posti i presidentit në një situatë të tillë.

“Familja Jashari i ka thënë: ‘Si don ti, z. Kurti, me u bë president ne dhe me ta dekretu ty Asociacionin?’ Kjo tregon sa e rëndë ka qenë loja për ta përfshirë një familje si familja Jashari”, u shpreh Zeqaj.

Tutje ai theksoi se, nëse Murat Jashari do ta kishte pranuar postin e presidentit dhe do të kishte dekretuar vetëmenaxhimin, sipas tij kjo do të ndikonte edhe në perceptimin ndaj familjes Jashari.

“Nëse zoti Murat do ta kishte pranuar presidencën dhe do ta kishte dekretuar vetëmenaxhimin, për mua ajo familje nuk do ta kishte më atë vulën dhe rolin që e ka pasur deri më tani”, ka thënë Zeqaj.

Të Ngjashme