Lajme

Zeqiraj kundër Kuvendit zgjedhor: Përçarjet karrieriste po e çojnë LDK-në drejt shuarjes

Opinionisti Idriz Zeqiraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar e Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës më 31 janar po pritet me interes të madh nga anëtarësia dhe shqiptarët kudo .

Ai ka potencuar se LDK mbetet partia e parë pluraliste demokratike në Ballkan, me rol vendimtar në shtetformim, rezistencën paqësore, luftën çlirimtare dhe forcimin e aleancave me SHBA-në dhe shtetet e Quintit .

“Anëtarësia, elektorati, populli, shqiptarët vendorë dhe botërorë, në shumësinë absolute të tyre, po e presin me ankth Kuvendin e LDK-së më 31 janar. Arsyeja është se pavarësisht propagandës të egër korale të vrastarëve të djeshëm të saj, ajo ka qenë dhe mbetet parti e parë pluraliste demokratike në Ballkan; parti shtet-formuese dhe shtet-ndërtuese; parti që bëri rezistencën paqësore aktive, duke krijuar institucionet paralele, në kushtet e një pushtimi brutal; parti që vuri bazat e ushtrisë luftarake, duke organizuar edhe luftën për çlirim; parti që ripërtëriu miqësinë me shtetet e Kuintit dhe Amerikën. Ky projekt madhor u realizua mençurisht nga mendimtari atdhetar, Dr. Ibrahim Rugova, bashkëpunëtorët e Tij. Me filozofinë e Tij urtake unike e bindi botën përparimtare demokratike, të prirë nga Amerika liridashëse, ta aktivizojë forcën ushtarake, të bashkuar në NATO-paktin, për ta stopuar dhe përzënë ushtrinë vrastare serbo-sllave, me apaçet e saj”, ka thënë ai.

Image
Idriz Zeqiraj

Gjithashtu, Zeqiraj vlerëson se Kuvendi i LDK-së nuk duhet të jetë zgjedhor, por Kuvend pune që përgatit terrenin për një Kuvend të rregullt zgjedhor pas disa muajsh.

Sipas tij, udhëheqja aktuale e LDK-së ka humbur kredibilitetin për të zgjedhur strukturat drejtuese, për shkak të pasivitetit dhe përjashtimit jo-demokratik të veprimtarëve besnikë të frymës rugoviane.

“Kuvendi i LDK-së të 31 janarit 2026, nuk duhet të shndërrohet në Kuvend zgjedhor. Përkundër, duhet të jetë Kuvend pune dhe udhëzime veprimi për Kuvendin e mirëfilltë zgjedhor, i cili kërkon disa muaj kohë për t`u përgatitur. Sepse, Kuvendi aktual i LDK-së, me pasivitetin dhe heshtjen qyqare, nuk e ka kredibilitetin, besueshmërinë për ta zgjedhur as kryetarin, as kryesinë dhe as Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së. Sepse në forma të ndryshme, hiç demokratike, u përzunë nga LDK-ja, vajza dhe djemë, veprimtarë dhe luftëtarë, besnikë të frymës rugoviane, duke shkelur parimet dhe porositë e themeluesit të LDK-së, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Humbjes së thellë të LDK-së, siç duket, përveç PAN-it, i janë gëzuar edhe klani rival brenda partisë. Ata nxituan të tërhiqen nga kryesia e LDK-së, me qëllim të presionit ndaj kryetarit Abdixhiku, që edhe ai të japë dorëheqje të parevokueshme. Shpallja e kandidaturave për kryetar partie, pa qenë Kuvend zgjedhor, po konsiderohen si veprime të nxituara dhe jo serioze. Klani i Isa Mustafës, aleat i hershëm i PDK-së, ka ndikuar jo pak në përcaktimet e aleancave me subjektet politike të kriminalizuara, rrjedhimisht, humbjen sa të thellë, aq edhe të pritshme!”, ka thekesuar ai.

Më tej, Zeqiraj vlerëson se veprimi i Komisionit të përgjegjësisë dhe ndryshimet brenda LDK-së janë të domosdoshme për disiplinë dhe ringritje partiake, ndërsa pauzat individuale e grupore i konsideron të shëndetshme.

Ai nënvizon se nuk duhet të mbahet Kuvend zgjedhor pa përfshirë të gjithë ata që dëshmojnë angazhim dhe vlera demokratike, si në debat ashtu edhe në organizim e prurje të reja.

Zeqiraj përfundon se LDK-ja mbetet parti e vlerave dhe se Kosova ka nevojë për këtë parti veterane, por ende vitale në veprim.

“Është normale dhe e pritshme të veprojë Komisioni i përgjegjësisë, i domosdoshëm për disiplinën brenda partiake. Edhe ndryshimet do të jenë pashmangshme, sepse pauzimet individuale dhe grupore janë të shëndetshme për një parti politike. Mosha e pretendentve aktual, për kreun e partisë apo kryesinë e saj, i favorizon për t`u përmbushur. Përçarjet dhe ndarjet, kryesisht, subjektive dhe karrieriste, e kanë lodhur, deri në molisje dhe varfëruar në anëtarësi LDK-në. Nuk mund dhe nuk duhet të mbahet asnjë Kuvend zgjedhor, pa u ftuar në procesin e madh të analizës dhe debatit demokratik, me të drejtën për të zgjedhur dhe për t`u zgjedhur, cilido që e dëshmon vetën, nga sot e tutje, qoftë në pjesëmarrjen aktive të organizimit të Kuvendit zgjedhor, qoftë në prurjet e reja në parti. LDK-ja ka qenë dhe mbetet parti e vlerave. Kosova ka nevojë për këtë parti veterane në moshë, por gjithnjë vitale në veprimtari”, ka përfunduar Zeqiraj.

Të Ngjashme