Lajme

Zeqiraj me akuza, “zbulon” kush është ‘tandemi’ që punoi për ndarjen e Kosovës

Opinionisti Idriz Zeqiraj, duke iu referuar deklaratave të kreut të PD-së, Sali Berishës, pretendon se Rama ka urdhëruar ambasadat shqiptare të shmangin çdo takim me Donika Gërvallën, duke e cilësuar këtë si hakmarrje për kritikat e saj ndaj bashkëpunimit Rama–Vuçiq.

Ai në një prononcim për “Bota sot” e ka cilësuar Ramën si të afërt me politikat e Serbisë.

Po ashtu, Zeqiraj ka renditur disa raste që, sipas tij, e dëshmojnë këtë: mbështetjen për iniciativa rajonale si “Open Ballkan”, idetë për shkëmbim territoresh Kosovë–Serbi, qëndrimet ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe kritikat ndaj veprimeve të qeverisë së Kosovës në Mitrovicë.

Image
Opinionisti Idriz Zeqiraj

“Kreu i opozitës shqiptare, Prof. Dr. Sali Berisha, thotë se “Rama ka urdhëruar ambasadat që të mos kenë asnjë lloj takimi me ministren e Drejtësisë së Kosovës, Donikë Gërvallën”. Kjo është një hakmarrje e ulët e burrecit Rama, për denoncimin publik që Gërvalla e bëri guximshëm, për letrën e përbashkët Rama-Vuçiq. Dr. Berisha është ndër të parët zyrtar të lartë që jep cilësime adekuate, për bastardët e kombit. Me të drejtë, argat të Vuçiqit e quan Edvin Ramën. Dhe, kjo dëshmohet përgjatë dy dekadave të fundit.

Në historinë gjithë shqiptare, nuk është parë dhe dëgjuar të këtë pasur një zyrtar shqiptar, i cili me ngulmim e përkushtim, ka qenë i gatshëm, për t`i shërbyer Serbisë, sa kryeministri shqiptar, Edvin Rama! Mund të rendisim një listë të tërë rastesh të ndërhyrjeve të tij në favor të Serbisë. Por, ne po veçojmë vetëm disa syresh:

– Rama ishte palë me Vuçiqin “për krijimin e Jugosllavisë së Re”, si pjesë e saj do të ishte Kosova dhe Shqipëria, më 2014-2016, e cila ishte kundër Kosovës dhe Shqipërisë;

– Rama loboi shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe të Serbisë, që për synim kishte ndarjen e Kosovës. Projektin e gatshëm ia prezantoi ministrit të Jashtëm suedez, Carl Bild, por ky i fundit e heshti, injoroi;

– Rama intrigoi për përçarjen e faktorit politik kosovar. Edhe pasi u mësua botërisht së Hashim Thaçi është agjent i trefishtë: Shqipërisë, Francës dhe Serbisë, i shantazhuar me dosje penalizuese, Rama e mori në mbrojtje dje dhe vazhdon ta mbrojë edhe sot;

– Në mledhjet e “Open Ballkan”, Rama e kritikonte dhe e akuzonte Kurtin pse Kosova nuk po i bashkohej dhe ishte pengesë të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi;

– Rama mbrojti dhe rehabilitoi Vuçiqin, kur ai kritikohej, për mos vënien e embargos Rusisë agresore e fashiste ndaj një vendi sovran, siç është Ukraina;

– Kryeministri kontravers shqiptar, Rama, u ka paraprirë agjendave ogurzeza të Serbisë në Kosovë. Kur filloi dialogu për bërjen e Asociacionit, për komunat me shumicë serbe në Kosovë, e shpikur dhe e shpifur nga ndërkombëtarët miq të Serbisë, pa e konsultuar fare lidershipin e Kosovës, u tha përfaqësuesve të BE-së, se Kosova duhet ta bëjë e para , madje njëanshëm Asociacionin, në mirëbesim, pavarësisht obligimeve të Serbisë! Dhe, çfarë mirëbesimi mund të këtë tek një shtet armik, njësoj si arabët që lutën – vdekje hebrejve, Serbia për Kosovën vdekje shqiptarëve-!

– Nisma e kryeministrit Albin Kurti për çmontimin e institucioneve paralele në veriun e vendit, reagoi Vuçiqi dhe Rama, duke e quajtur provokim të serbëve. Kosova u sanksionua dhe trinomi Vuçiq-Rama, opozita palë me serbët, e aprovuan. Ishte cinike dyzimi i opozitës: Nga njëra anë thonin se “vënia e sanksioneve Kosovës, është masë e padrejtë”, nga ana tjetër ishin përkrah Serbisë: “Masat na i vuri Kurti!””, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Zeqiraj thotë se opozita gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti ka pritur shpalljen e tij “non grata”, por kjo nuk ka ndodhur.

Ai vlerëson se bashkëpunimi mes Vjosa Osmanit, Glauk Konjufcës, Albin Kurtit dhe Donikë Gërvallës ka sjellë shtrirje të sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës.

Po ashtu, ai pretendon se ka pasur përpjekje për ndarje të Kosovës nga një “tandem” Thaçi–Vuçiq, me përfshirje edhe të Ramës, por thekson se kjo ide është kundërshtuar fuqishëm nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila e ka cilësuar ndryshimin e kufijve në Ballkan si të rrezikshëm.

“Përgjatë gjithë mandatit qeverisës të Kurtit, opozita e ka kaluar në pritje të shpalljes -non grata- të kryministrit, duke marrë shkas nga disa kundërshti dhe shpërfillje të diskutueshme nga Kurti.

Megjithatë, ekipi brenda Lidershipit: Osmani, Konjufca, Kurti, Gërvalla, rezultoi i suksesshëm në shtrirjen e sovranitetit- cep me cep- -, një arritje e shkëlqyer konsoliduese.

Pasi tandemi Thaçi-Vuçiq kishin filluar pazaret e pista për shkëmbimin e territoreve, si kamuflim i ndarjes të Kosovës. Rama dhe Vuçiq u takuan  në një qytet provincial të Serbisë. Në një tubim ndërkombëtar, përgjatë një pauze, në një kënd të sallës, mbi një tavolinë, ishte e shpalosur harta e Kosovës. Tre banditërit: Thaçi, Rama, Vuçiq, me thika në dorë, i kërkuan aprovimin e ndarjes të Kosovës. Përgjigja e Kancelarës gjermane Angela Merkel, ishte refuzuese dhe përbuzëse: “Lëvizja e kufijve në Ballkan është “Shpat i Rrëshqitshëm!””, deklaroi Zeqiraj.

Të Ngjashme