Edhe pse konsumimi i tepërt i çdo lloj alkooli është i dëmshëm, disa pije rezultojnë më të rrezikshme se të tjerat. Birra, sidra dhe pijet e forta lidhen me rritje të rrezikut për vdekje të parakohshme, madje edhe kur konsumohen në sasi të vogla.
Nga ana tjetër, konsumimi i moderuar i verës u shoqërua me një rrezik 21% më të ulët për vdekje nga sëmundjet e zemrës. Sipas studiuesit kryesor, dr. Zhangling Chen, edhe nivelet e ulëta deri mesatare të konsumit të pijeve të forta, birrës apo sidrës lidhen me mortalitet më të lartë, ndërsa vera mund të ketë rrezik më të ulët.
Studimi ndoqi rreth 341,000 persona në kuadër të projektit britanik UK Biobank për më shumë se 13 vite. Pjesëmarrësit u ndanë sipas sasisë së alkoolit që konsumonin: të ulët, të moderuar dhe të lartë. Konsumi i lartë (mbi 40 gramë në ditë për burrat dhe mbi 20 gramë për gratë) u lidh me 24% më shumë gjasa për vdekje të parakohshme, 36% më shumë rrezik për vdekje nga kanceri dhe 14% më shumë rrezik për vdekje nga sëmundjet e zemrës.
Edhe konsumimi i ulët i pijeve të forta, birrës apo sidrës u shoqërua me një rritje prej 9% të rrezikut për vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare. Nga ana tjetër, vetëm vera në nivele të moderuara tregoi efekt mbrojtës.
Studiuesit sugjerojnë se këto dallime mund të lidhen jo vetëm me llojin e alkoolit, por edhe me mënyrën e konsumimit dhe stilin e jetesës. Vera shpesh konsumohet gjatë vakteve dhe nga persona me zakone më të shëndetshme, ndërsa pijet e tjera lidhen më shpesh me dieta më të dobëta, mungesë aktiviteti fizik dhe zakone si duhanpirja.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se nevojiten më shumë studime për të kuptuar plotësisht këto lidhje. / US News – Syri.net
