Lajme

Zgjedhja e presidentit / Profesori zbulon prapaskenat e pushtetit dhe pengesat për mandatin e dytë të Vjosa Osmanit

Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Kosova ndodhet në një fazë kyçe të procesit politik, që përfshin formimin e institucioneve të reja dhe zgjedhjen e presidentit për një mandat pesëvjeçar.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur synimin për një mandat të dytë, ndërsa mandati i saj përfundon në prill.

Paralelisht, në diskursin publik janë përmendur edhe emra të tjerë politikë, megjithëse pa konfirmime zyrtare, duke reflektuar dinamikat dhe paqartësitë e skenës politike.

E të gjendur në këtë situatë a rrezikon procesi i zgjedhjes së presidentit të kthehet në një mjet presioni politik mes partive, dhe çfarë pasoja mund të ketë kjo për stabilitetin institucional?

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi.

Ai thotë se procesi zgjedhor është drejt fundit dhe se, pasi të certifikohet rezultati, Kuvendi duhet të konstituohet shpejt dhe kryesia të zgjidhet me konsensus, pa bllokada politike apo imponime mes palëve.

“Besoj se tani jemi para çertifikimit përfundimtar të rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit të vitit të kaluar. Pritet vendimi i Gjykatës së Lartë për ankesat dhe më pas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të njoftojë përbërjen përfundimtare të parlamentit të ri. Sapo të shpallet rezultati zyrtar zgjedhor, Kuvendi duhet të mblidhet dhe të zgjedhë kryesinë. Kjo mund të ndodhë brenda ditës, ose mun të zvarritet pa fund, nëse mazhoranca kundërshton ndonjë kandidaturë të opozitës apo të pakicës serbe. Por uroj që kjo të mos ndodhë. Pra që kryesia e Kuvendit të zgjidhet shpejt dhe me konsensus, pa u përpjekur për t’i imponuar njëri-tjetrit emrat e përveçëm të kandidaturave”, u shpreh ai.

Formimi i Qeverisë dhe Zgjedhja e Presidentit

Më tej profesori thekson që pas zgjedhjes së kryesisë, qeveria e re pritet të votohet shpejt sepse koalicioni i Vetëvendosjes i ka votat dhe synon ta përmbyllë procesin deri rreth 20 shkurtit për të kaluar në fazën tjetër të konstituimit të institucioneve.

Ndërsa sa i përket presidentit ai shton që, afati është 5 mars dhe, sipas analizës së profesorit, mazhoranca nuk do ta lëshojë këtë post, pasi opozita nuk i ka votat e nevojshme edhe pse do ta dëshironte.

“Pas zgjedhjes së kryesisë radhën e ka të votohet qeveria e re. Edhe krijimi i qeverisë mund të ndodhë shumë shpejt. Natyrisht jo menjëherë, por jo me zvarritje. Koalicioni i Vetëvendosjes i ka numrat për këtë dhe nuk do të ketë asnjë pengesë. Votuesi, sovrani e zgjidhi konfliktin duke e votuar në shumicë absolute koalicionin e Vetëvendosjes, e cila bashkëpunon me partitë e pakicave dhe Rashid Nenad. Krijimi i qeverisë dhe prgramit dhe projektit të saj duhet të jetë objektivi më i rëndësishëm. Ka shumë mundësi që të gjitha këto të përfundojnë deri nga data 20 shkurt. Dhe duhet të ndodhë kështu, sepse politika dhe kuvendi do të hyjnë në një fazë tjetër të konstituimit të institucioneve.

Me datën 5 mars është afati i fundit, kur Kosova do të duhet të jetë votuar presidenti i Republikës. Kësisoj koha prej 20 shkurtit e deri më 5 mars është shumë e shkurtër. Nuk pres që Vetëvendosja të heq dorë nga kandidatura e saj për kreun e shtetit. Pra nuk pres që presidenti të jetë nga radhët e PDK-së, LDK-së apo t’i lihet Ramush Haradinajt. Të tri këto parti do të donin ta kishin postin e numrit një të shtetit. Por ato nuk i kanë votat. Të tria ato kanë 13 vota më pak sesa koalicioni i Vetëvendosjes. Nuk do të ishte fundi i botës që njëra prej tyre të kishte një kandidaturë dinjitoze, i cili të bëhej president i vendit. Por duke e analizuar situatën politike në vend, nuk shoh që mazhoranca do ta lëshojë shansin që këtë post ta mbajë për vete”, shpjegon profesori.

Duke vazhduar bisedën Bytyçi thotë se kandidatura e Vjosa Osmanit për një mandat të dytë varet nga raporti i saj me Albin Kurtin, i cili duket i tensionuar për shkak të egove dhe mungesës së besimit mes tyre. Ani pse sipas tij kjo përplasje krijon një balancë të shëndetshme pushteti, ai dyshon se Kurti mund ta bllokojë kandidaturën e saj dhe se aktualisht ka një disekuilibër në këtë marrëdhënie.

Vjosa Osmani duhet të ketë mandatin e dytë për presidente

“A do të jetë Vjosa Osmani sërishmi kandidate për një mandat të dytë? Kjo varet shumë nga marrëdhënia dhe marrëveshja midis saj dhe Albin Kurtit. Ne shqiptarët kemi një shprehje: – Nuk shkojnë bashkë dy atllarë në një grazhd. Kam përshtypjen se të dy këta, zonja Osmani dhe zoti Kurti, kanë ego më shumë sesa duhet. Kurti duket se nuk ka besim te Osmani dhe Osmani nuk lëshon ndaj Kurtit. Në fakt kjo gjë i bën mirë Kosovës dhe demokracisë së saj, sepse krijon balancë në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv. Edhe vetë kushtetuta e parashikon këtë lloj balance. Por Kurti mund ta shfrytëzojë autoritetin e tij për ta refuzuar kandidaturën e zonjës Osmani. Kjo përshtypje më krijohet nga deklaratat e Kurtit, kur thotë se zgjedhja e presidentit është gjëja e fundit. Por edhe nga deklarimet e zonjës Osmani për marrëdhëniet e saj me presidentin Trump. Duket sikur kërkon ndihmën e presidentit amerikan për të kap mandatin e dytë. Kurti hesht, Osmani duket sikur hedh ndonjë deklaratë kërcënuese. Shkurt, për momentin shoh një disekuilibë”, shpjegon profesori.

Profesori argumenton se Vjosa Osmani duhet të vazhdojë mandatin e dytë si presidente për shkak të marrëdhënieve të forta me SHBA-në, NATO-n dhe rolin e saj në rritjen e peshës ndërkombëtare të Kosovës, sidomos në një kohë kur BE shihet si në rënie.

Ai potencon se angazhimi i saj si themeluese e Bordit të Paqes i jep Kosovës prestigj dhe autoritet global, duke e pozicionuar si vend themelues në një rend të ri ndërkombëtar.

“Unë e kam thënë vazhdimisht dhe kam shpjeguar arsyet pse Vjosa Osmani duhet të vazhdojë të jetë presidente e Republikës së Kosovës edhe për një mandat të dytë. Marrëdhëniet e saj me ndërkombëtarët, me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shkaku kryesor që ajo ta vazhdojë mandatin. Në fund të fundit Kosova ka shumë nevojë të integrohet në NATO dhe forcojë lidhjet me SHBA-në, sepse BE, më duket se po shkon drejt fundit të saj. Por duhet gjithashtu që Vjosa Osmani të vazhdojë të luajë rol si themeluse e Bordit të Paqes, bord të cilon e shoh si bërthamën e një organizate të re globale, e cila do të zevendësojë OKB-në. Të jesh themelues i kësaj organizate në embrion është njohje, nder dhe privilegj. Kjo e bën Kosovën me autoritet ndërkombëtar, siç meritojnë gjithmonë themeluesit. Themeluesit gjithmonë pranojnë anëtarët e rinj, por jo vetveten”, thotë profesori.

Në fund profesori thotë se opozita duhet ta mbyllë dilemen për zgjedhjen e presidentit, sepse çdo bllokadë ose bojkot do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme dhe do të ndëshkohej edhe më rëndë nga qytetarët.

Ai nënvizon se Kosova ka nevojë për stabilitet dhe përgjegjësi institucionale, jo për kalkulime personale apo partiake që e dëmtojnë rendin politik.

“Duhet të marrë fund dilema për zgjedhjen e presidentit edhe te partitë opozitare. Sepse nuk është në interes të Kosovës e aq më pak të këtyre partive që vendi të shkojë sërishmi në zgjedhje të parakohshme. Çdo bllokadë për pjesmarrje në seancën plenare të zgjedhjes së presidentit, nëse shkohet në zgjedhje të reja, do të ndëshkohet prej qytetarëve akoma më shumë sesa në zgjedhjet e 28 dhjetorit të kaluar. Prandaj nuk është në dobi të askujt bllokimi. As refuzimi i kandidaturës së zonjës Osmani, gjë që nuk besoj se do të ndodhë. Kësaj radhe pritet që deputetët të jenë më të përgjegjshëm për konstituimin e institucioneve të vendit. Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe jo për qasje sipas interesit persinal ose partiak, gjë që e cënon stabilitetin politik”, përfundoi profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Të Ngjashme