Lajme

‘Zgjedhjet s’po sjellin stabilitet’ – Profesori Kelmendi ngre alarmin për Kosovën

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me një propozim të ri, duke ftuar Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që të propozojnë së bashku tre kandidatë për postin e presidentit.

Sipas këtij propozimi, kandidatët duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar profesional dhe të mos jenë pjesë e skenës aktuale politike.

Po ashtu, për secilin prej tyre parashihet sigurimi i të paktën 90 nënshkrimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Profesori Muhamet Kelmendi ka deklaruar se në Kosovë zgjedhjet po e humbin funksionin e tyre themelor, duke mos prodhuar më stabilitet politik dhe institucione funksionale.

Sipas tij, vendi po hyn në një cikël të zgjedhjeve të shpeshta që, në vend se të zgjidhin krizat, po i thellojnë ato. Ai thekson se problemi nuk qëndron te votuesit, por te klasa politike që nuk po arrin ta shndërrojë verdiktin qytetar në pushtet funksional.

“Në Kosovë, zgjedhjet po humbin kuptimin e tyre themelor.

Ato nuk po shërbejnë më si mekanizëm për të prodhuar stabilitet politik dhe institucione funksionale, por si një cikël i përsëritur që vetëm e shtyn krizën përpara. Vendi po hyn në një fazë ku zgjedhjet e shpeshta nuk janë më shenjë e demokracisë dinamike, por simptomë e një sistemi që nuk arrin të funksionojë.

Sepse problemi nuk është te votuesi.

Problemi është te politika.

Qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre disa herë. Fituesi ka dalë i qartë. Por ajo që mungon është aftësia për ta kthyer këtë verdikt në pushtet funksional. Në vend të ndërtimit të institucioneve, kemi ngecje në kalkulime, pazare të heshtura dhe refuzim të kompromisit.

Kjo e ka zhvendosur politikën nga përgjegjësia te loja”, thotë ai.

Sipas Kelmendit, kriza politike në Kosovë po shihet më qartë në procesin e zgjedhjes së presidentit, i cili, sipas tij, kërkon konsensus por po shndërrohet në simbol të mungesës së tij.

Ai thekson se problemi nuk është te zgjedhjet, por te kultura politike, duke shtuar se kompromisi shihet si dobësi dhe jo si mekanizëm demokratik.

Sipas tij, pa vullnet për kompromis nuk mund të ketë qeveri të qëndrueshme dhe as shtet funksional.

“Zgjedhja e Presidentit e ka ekspozuar më qartë këtë krizë. Një proces që kërkon konsensus është kthyer në simbol të mungesës së tij. Emrat qarkullojnë, por nuk formalizohen. Kërkesat shtohen, por ofertat mungojnë. Të gjithë flasin për përgjegjësi, por askush nuk e merr atë.

Kjo nuk është thjesht krizë politike.

Është krizë e kulturës politike.

Në një demokraci funksionale, kompromisi është mekanizëm normal. Në Kosovë, ai trajtohet si dobësi. Dhe përderisa ky perceptim nuk ndryshon, çdo rezultat zgjedhor do të prodhojë të njëjtën situatë: fragmentim, mosbesim dhe bllokadë.

Zgjedhjet e reja, në këtë kontekst, nuk janë zgjidhje. Janë vetëm një mënyrë për të fituar kohë. Një iluzion se problemi mund të zgjidhet duke përsëritur të njëjtin proces, pa ndryshuar logjikën që e prodhon krizën.

Por realiteti është më i ashpër.

Pa vullnet për kompromis, nuk ka qeveri të qëndrueshme. Pa qeveri të qëndrueshme, nuk ka shtet funksional”, shprehet ai.

Çfarë duhet të ndodhë?

Në përfundim, Kelmendi ka theksuar se për tejkalimin e krizës politike në Kosovë nevojitet një marrëveshje minimale për funksionimin e institucioneve dhe jo koalicione të mëdha ideologjike, por një pakt bazik për shtetin.

Sipas tij, zgjedhja e presidentit duhet të dalë nga logjika e pazareve dhe të bazohet në konsensus rreth një figure unifikuese

Ai shton se partitë duhet ta pranojnë realitetin se askush nuk mund të qeverisë i vetëm, ndërsa opozita duhet të ofrojë zgjidhje konkrete dhe jo vetëm refuzim.

Së pari, duhet një marrëveshje minimale politike për funksionimin e institucioneve – jo një koalicion i madh ideologjik, por një pakt bazik për shtetin.

Zgjedhja e Presidentit duhet të dalë nga logjika e pazareve dhe të kthehet në një proces konsensual me një figurë që tejkalon vijat partiake.

Së dyti, partitë duhet të pranojnë një realitet të thjeshtë: askush nuk mund të qeverisë vetëm. Në një sistem parlamentar, ndarja e pushtetit nuk është dobësi – është domosdoshmëri.

Së treti, opozita duhet të kalojë nga refuzimi automatik në ofertë konkrete. Të kërkosh pushtet pa dhënë zgjidhje nuk është alternativë, është bllokim.

Dhe së fundi, duhet një ndryshim më i thellë: nga politika si garë për dominim, te politika si përgjegjësi për funksionim.

Sepse në fund, çështja nuk është kush merr më shumë pushtet. Por nëse shteti funksionon. Nëse kjo nuk kuptohet, atëherë kriza nuk është më një fazë kalimtare. Ajo bëhet gjendje. Dhe në atë pikë, zgjedhjet nuk janë më shpresë. Janë vetëm përsëritje e problemit”, përfundon ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme