Lajme

Zgjerimi ushtarak i Serbisë alarmon Kosovën: Ekspertët kërkojnë vigjilencë, por jo panik

Vendimi i Serbisë për të mobilizuar prona shtetërore dhe kishtare për zgjerimin e projekteve ushtarake po shihet me kujdes nga ekspertët e sigurisë, për shkak të ndikimit që mund të ketë në arkitekturën e sigurisë në rajon. 

Ata vlerësojnë se ky zhvillim tregon vazhdimin e përpjekjeve të Beogradit për forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe industrisë së mbrojtjes.

Megjithatë, sipas tyre, ky vendim në vetvete nuk përbën dëshmi për një sulm të menjëhershëm ndaj Kosovës. 

Ekspertët theksojnë se çdo vlerësim i rrezikut duhet të bazohet në një analizë më të gjerë, duke përfshirë lëvizjet ushtarake, retorikën politike dhe zhvillimet në terren. Ata kërkojnë nga institucionet e Kosovës monitorim të vazhdueshëm dhe rritje të vigjilencës strategjike. Prania e KFOR-it dhe angazhimi i NATO-s konsiderohen faktorë kyç që ulin mundësinë e një aventure ushtarake në rajon. 

Sipas tyre, Kosova duhet të vazhdojë forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë. Zhvillimet e fundit, sipas ekspertëve, nuk duhet të krijojnë panik, por duhet të shërbejnë si një sinjal për kujdes dhe përgatitje të mëtejshme.

Racaj: Rreziku për një agresion të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës mbetet i ulët falë KFOR-it dhe NATO-s

Kështu, profesori i sigurisë, Muhamet Racaj, vlerëson se vendimi i Serbisë për të mobilizuar prona shtetërore dhe kishtare për zgjerimin e projekteve ushtarake duhet të analizohet me seriozitet, por pa krijuar panik.

“Ky vendim nuk mund të shihet vetëm si një çështje administrative apo infrastrukturore, por si pjesë e një strategjie afatgjatë për forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe të industrisë së mbrojtjes së Serbisë”, deklaron Racaj në një prononcim për “Bota sot”.

Image
Muhamet Racaj

Sipas tij, për Kosovën ky zhvillim ka rëndësi të veçantë për shkak të afërsisë gjeografike, historikut të konflikteve dhe retorikës së vazhdueshme që vjen nga Beogradi.

“Megjithatë, nuk duhet të krijohet alarm i panevojshëm. Zgjerimi i infrastrukturës ushtarake nuk nënkupton automatikisht se Serbia po përgatitet për një sulm ushtarak ndaj Kosovës”, thekson ai.

Racaj shton se ky është një sinjal që institucionet e sigurisë së Kosovës duhet ta monitorojnë me kujdes.

“Çdo rritje e kapaciteteve ushtarake në rajon ndryshon, në një masë të caktuar, ekuilibrin strategjik dhe kërkon vlerësime të vazhdueshme nga institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë”, shprehet profesori.

Ai vlerëson se aktualisht rreziku për një agresion të drejtpërdrejtë ushtarak ndaj Kosovës mbetet i ulët.

“Kjo kryesisht falë pranisë së KFOR-it dhe angazhimit të NATO-s për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Ky mekanizëm përbën pengesën më të madhe ndaj çdo aventure ushtarake”, thotë Racaj.

Megjithatë, profesori paralajmëron se Serbia po vazhdon të investojë në fuqizimin e kapaciteteve të saj ushtarake.

“Beogradi po investon vazhdimisht në modernizimin e forcave të armatosura, në zgjerimin e kapaciteteve industriale dhe në infrastrukturën mbështetëse. Kjo tregon se synon të rrisë fuqinë ushtarake dhe ndikimin strategjik në rajon”, deklaron ai.

Sipas Racajt, Kosova duhet të vazhdojë forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.

“Kosova duhet të vazhdojë zhvillimin e kapaciteteve të veta mbrojtëse, të thellojë bashkëpunimin me aleatët dhe të përshpejtojë integrimin euroatlantik“, thekson ai.

Në fund, Racaj nënvizon se vendimi i Serbisë nuk duhet të interpretohet si një kërcënim i menjëhershëm, por as të neglizhohet.

“Ai duhet të shërbejë si një sinjal për vigjilencë strategjike, monitorim të vazhdueshëm dhe forcim të mëtejmë të institucioneve të sigurisë, në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë”, përfundon profesori Muhamet Racaj.

Berisha thotë se zgjerimi i projekteve ushtarake të Serbisë ndikon në arkitekturën e sigurisë në rajon

Po ashtu edhe eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, vlerëson se vendimi i Serbisë për të mobilizuar prona shtetërore dhe kishtare për zgjerimin e projekteve ushtarake duhet të trajtohet me seriozitet, por pa u interpretuar automatikisht si një kërcënim i drejtpërdrejtë për Kosovën.

“Mendoj se vendimi i Serbisë për të mobilizuar prona shtetërore dhe kishtare për zgjerimin e projekteve ushtarake duhet të trajtohet me seriozitet dhe të monitorohet nga afër, por nuk duhet të interpretohet automatikisht si kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj Kosovës”, deklaron Berisha.

Image
Fidair Berisha

Sipas tij, ky vendim dëshmon se Serbia vazhdon t’i kushtojë rëndësi forcimit të kapaciteteve të saj ushtarake.

“Ky vendim tregon se Serbia vazhdon t’i kushtojë rëndësi forcimit të kapaciteteve të saj ushtarake, gjë që ndikon në arkitekturën e sigurisë në rajon. Për Kosovën, ky është një zhvillim me rëndësi të veçantë për shkak të afërsisë gjeografike, historikut të tensioneve dhe sfidave të vazhdueshme në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve”, shprehet ai.

Megjithatë, Berisha në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” thekson se vetëm ky vendim nuk mund të konsiderohet provë e një rreziku të menjëhershëm ushtarak.

Unë nuk do të thosha se vetëm ky vendim përbën dëshmi të një rreziku të menjëhershëm ushtarak për Kosovën. Çdo vlerësim i kërcënimit duhet të bazohet në një analizë më të gjerë, duke marrë parasysh edhe faktorë të tjerë, si lëvizjet e forcave ushtarake, retorikën politike, zhvillimet në terren dhe informacionet që disponojnë institucionet e sigurisë”, thotë ai.

Sipas Berishës, zhvillimet e fundit duhet të shërbejnë si një sinjal për rritjen e vigjilencës, por jo për krijimin e panikut.

“Në vlerësimin tim, ky zhvillim duhet të shërbejë si një sinjal për vigjilencë më të madhe dhe monitorim të vazhdueshëm, por jo për të krijuar panik apo për të nxjerrë përfundime të parakohshme”, thekson ai.

Në fund, eksperti shtoi se Kosova duhet të vazhdojë forcimin e kapaciteteve të saj të sigurisë dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

“Kosova duhet të vazhdojë të forcojë kapacitetet e saj të sigurisë dhe të ruajë koordinimin e ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, të cilët mbeten faktor kyç për stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, përfundon Fidair Berisha për “Bota sot”.

Të Ngjashme