Zohrab Mamdani është zgjedhur kryebashkiaku i ri i New York-ut, duke u bërë një nga figurat më të reja dhe më radikale në skenën politike amerikane. 34-vjeçari, që e përshkruan veten si “makthin më të keq të Trump-it”, fitoi me 60.2 për qind të votave, një fitore e thellë për krahun progresiv të Partisë Demokratike, në një moment kur vetë demokratët duken të ndarë për mënyrën se si duhet përballuar mandati i dytë i Donald Trump.
Me origjinë nga Azia Jugore, Mamdani njihet si një nga aktivistët më të përkushtuar të brezit të tij. Ai ka mbështetur ide të guximshme si transport publik falas, kujdes universal për fëmijët dhe ngrirjen e qirasë për banesat e rregulluara, masa që do të financohen përmes taksave të rritura për më të pasurit. Fitorja e tij vjen pas një fushate të fortë dhe të polarizuar politikisht.
Kryebashkiaku në largim, Eric Adams, vendosi të kandidonte si i pavarur pas një skandali korrupsioni që tronditi administratën e tij. Edhe ish-guvernatori Andrew Cuomo u përpoq të rikthehej në politikë duke kërkuar nominimin demokrat, por Mamdani, relativisht i panjohur në fillim të garës, arriti të sigurojë fillimisht nominimin dhe më pas edhe fitoren përfundimtare, duke e mposhtur Cuomon edhe në zgjedhjet e përgjithshme.
Në prag të votimeve, Donald Trump e cilësoi Mamdanin si “komunist” dhe paralajmëroi se zgjedhja e tij do të sillte “katastrofë” për New York-un, madje u bëri thirrje mbështetësve republikanë të përkrahnin Cuomo-n për të ndalur “socialistin demokrat”. Megjithatë, përpjekjet e Trump-it dështuan, Mamdani fitoi me një diferencë të qartë.
Fitorja e tij shënon një moment historik: ai bëhet kryebashkiaku i parë mysliman në historinë e New York-ut, i pari me origjinë nga Azia Jugore dhe njëkohësisht një nga më të rinjtë që kanë drejtuar ndonjëherë qytetin. Karriera e tij politike ka njohur një ngritje të rrufeshme, nga anëtar i Asamblesë së Shtetit të New York-ut për tre mandate, në qendër të politikës kombëtare vetëm brenda një viti.
Sipas analistëve, kjo fitore pritet të ketë jehonë përtej New York-ut, duke i dhënë një shtysë të re krahut progresiv brenda demokratëve dhe duke ndikuar strategjinë e partisë në prag të zgjedhjeve presidenciale të ardhshme.
Në të njëjtën ditë, demokrati Mickey Sherrill u shpall guvernator i New Jersey-t, sipas parashikimeve të Fox News dhe NBC News. Ndërkohë, në Virxhinia, demokratja Abigail Spanberger pritet të ketë siguruar fitoren në zgjedhjet lokale, një tjetër sinjal për klimën politike në fillim të mandatit të dytë të presidentit republikan Donald Trump.
New Jersey ka qenë nën drejtimin e demokratëve për tetë vite me radhë, nën guvernatorin Phil Murphy. Edhe pse Trump nuk ka fituar kurrë zgjedhje presidenciale në atë shtet, ai arriti të ngushtojë ndjeshëm diferencën në vitin 2024, veçanërisht falë mbështetjes së votuesve hispanikë.
/tiranapost


