Sipas një studimi të ri të Universitetit të Michiganit, një nga mënyrat më të njohura dhe të shëndetshme të të ushqyerit, dieta mesdhetare, mund të ofrojë ndihmë të konsiderueshme për ata që vuajnë nga sindroma e zorrës së irrituar (IBS). Kjo sëmundje kronike e përhapur shkakton shqetësime të ndryshme si dhimbje abdominale, fryrje, diarre dhe kapsllëk.
Tradicionalisht, pacientëve me IBS u rekomandohet dieta “Low FODMAP”, e cila përjashton karbohidratet që treten me vështirësi dhe mund të shkaktojnë simptoma të bezdisshme. Por kjo dietë është shumë e kufizuar dhe shpesh e vështirë për t’u ndjekur, ndaj kërkimi për alternativa më të përballueshme është i vazhdueshëm.
Çfarë tregoi studimi?
Në eksperimentin e Universitetit të Michiganit, studiuesit analizuan ndikimin e dietës mesdhetare te një grup i vogël pacientësh me IBS dhe arritën në përfundime pozitive:
- 70% e pjesëmarrësve patën ulje të ndjeshme të dhimbjeve abdominale,
- 50% përjetuan zvogëlim të fryrjes,
- 30% raportuan përmirësim të përgjithshëm të simptomave.
Megjithëse efektiviteti i dietës Low FODMAP është më i lartë, pasi është krijuar posaçërisht për këtë gjendje, dieta mesdhetare ofron një opsion më fleksibël dhe më të lehtë për t’u ndjekur.
Cili është ndryshimi mes dy dietave?
Dieta Low FODMAP kufizon përkohësisht disa ushqime si qumështi, disa fruta dhe perime, sallatëra, mjalti dhe ëmbëlsuesit artificialë. Ajo zbatohet në tri faza: eliminim, riintroduktim dhe mirëmbajtje, duke identifikuar cilët ushqime shkaktojnë simptoma.
Dieta mesdhetare, në anën tjetër, përfshin ushqime të pasura me fibra dhe veti anti-inflamatore, si frutat, perimet, drithërat e plota, peshku, mishi i bardhë, vaji i ullirit dhe arrat, duke ndihmuar në ruajtjen e shëndetit të mikrobiomës intestinale pa kufizime të rrepta.
Përfundimi?
Sipas studiuesve, dieta mesdhetare mund të jetë një alternativë premtuese për ata që nuk mund të përballojnë kufizimet e dietës Low FODMAP. Zgjedhja më e mirë duhet bërë nën udhëheqjen e një nutricionisti, duke marrë parasysh nevojat dhe tolerancat individuale të çdo pacienti. Një tjetër dëshmi që ushqimi i shëndetshëm tradicional mesdhetar nuk ndihmon vetëm zemrën, por edhe sistemin tretës.
