Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka reaguar ndaj raportimeve të fundit në media lidhur me mosraportimin në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, duke i cilësuar ato si të pasakta.
Përmes një sqarimi, Bordi i ZRRE-së ka bërë të ditur se ka vepruar në përputhje të plotë me ftesën zyrtare të Komisioni Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, duke konfirmuar pjesëmarrjen dhe duke qenë fizikisht i pranishëm në Kuvendin e Kosovës, i gatshëm për raportim.
Sipas ZRRE-së, mbledhja nuk është zhvilluar për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm nga ana e deputetëve.
Bordi ka shprehur keqardhje për raportimet, që sipas tyre kanë keqinformuar opinionin publik lidhur me prezencën dhe gatishmërinë e institucionit për raportim.
Në fund, ZRRE ka theksuar përkushtimin ndaj transparencës dhe komunikimit korrekt, duke u bërë thirrje mediave që të verifikojnë informacionet dhe të drejtohen tek ky institucion për sqarime zyrtare para publikimit të lajmeve.
