Ka nisur orët e fundit gjyqi ndaj Instagram dhe META për varësinë që krijon tek të rinjtë.
CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg dha dëshminë e tij deklaroi se operatori i Facebook dhe Instagram nuk i lejon fëmijët nën 13 vjeç në platformat e tij, pavarësisht se u përball me prova që tregojnë se ata përbënin një segment të rëndësishëm përdoruesish.
Avokati Mark Lanier, që përfaqëson gruan e cila po padit Instagramin dhe YouTube-in e Google për dëmtim të shëndetit të saj mendor kur ishte fëmijë, e vuri në presion Zuckerbergun lidhur me deklaratën e tij në Kongres në vitin 2024 se përdoruesit nën 13 vjeç nuk lejohen në platformë. Lanier e përballi atë me dokumente të brendshme të Meta-s.
Akuzuesja pretendon se kompanitë e rrjeteve sociale kërkuan të përfitonin duke i bërë fëmijët të varur nga shërbimet e tyre, pavarësisht se e dinin që mund të dëmtonin shëndetin e tyre mendor. Sipas saj, aplikacionet i nxitën depresionin dhe mendimet vetëvrasëse, ndaj kërkon që kompanitë të mbajnë përgjegjësi.
Meta dhe Google i kanë mohuar akuzat dhe kanë theksuar punën e tyre për të shtuar funksione që mbajnë përdoruesit të sigurt.
“Nëse duam të fitojmë shumë me adoleshentët, duhet t’i sjellim ata që në moshë më të vogël,” thuhej në një prezantim të brendshëm të Instagramit nga viti 2018.
“E megjithatë ju thoni se ne nuk do ta bënim kurrë këtë,” tha avokati Lanier.
Zuckerberg u përgjigj se Lanier po e keqinterpretonte. CEO tha se Meta ka zhvilluar “biseda të ndryshme me kalimin e kohës për të ndërtuar versione të shërbimeve që fëmijët mund t’i përdorin në mënyrë të sigurt”. Ai shtoi se Meta kishte diskutuar krijimin e një versioni të Instagramit për fëmijë nën 13 vjeç, por në fund nuk e realizoi.
Rivalët e Meta-s, Snap dhe TikTok, arritën marrëveshje me paditësen përpara se gjyqi të niste javën e kaluar.
Zuckerberg u përgjigj se është e vështirë për zhvilluesit e aplikacioneve të verifikojnë moshën e përdoruesve dhe se përgjegjësia duhet të bjerë mbi prodhuesit e pajisjeve mobile. Ai dëshmoi se adoleshentët në Instagram përbëjnë më pak se 1% të të ardhurave.
Prokurorëve iu paraqit edhe një dokument i vitit 2022 me “piketa” për Instagramin në vitet në vijim, përfshirë rritjen graduale të kohës ditore të përdorimit nga 40 minuta në 2023 në 46 minuta në 2026-ën.
Zuckerberg tha se këto nuk janë “objektiva”, por një “kontroll intuitiv” për drejtuesit e lartë mbi ecurinë e kompanisë.
Në përgjigje të pyetjeve nga avokati i Meta-s, Paul Schmidt, Zuckerberg tha se kompania i bazon objektivat e punonjësve te ofrimi i një përvoje të mirë për përdoruesit.
“Nëse e bëjmë këtë mirë, njerëzit i gjejnë shërbimet më të vlefshme dhe një efekt anësor është se do t’i përdorin më shumë,” tha ai.
Kjo ishte hera e parë që miliarderi, themelues i Facebook-ut, dëshmon në gjykatë për ndikimin e Instagramit në shëndetin mendor të përdoruesve të rinj.
Mattheë Bergman, avokat që përfaqëson prindër të tjerë që pretendojnë se rrjetet sociale shkaktuan vdekjen e fëmijëve të tyre, u tha gazetarëve jashtë gjykatës se prindërit shpresojnë që kostoja e proceseve gjyqësore të detyrojë industrinë të ndryshojë.
/tiranapost
