Lajme

Zulfaj: Draft-statuti i asociacionit i propozuar nga BE, s’është obligues për Kosovën

Draft-statuti i asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga Bashkimi Evropian nuk është obligues për vendin tonë, thonë në Qeverinë e Kosovës.

Sipas tyre, ky dokument, të cilin e kualifikojnë “non-paper”, nuk do të dërgohet në Kushtetuese pavarësisht insistimit të BE-së dhe vendeve partnere të Kosovës.

Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, në një intervistë për KosovaPress thotë se draft-statuti i asociacionit, i dorëzuar nga BE-ja më 26 tetor 2023, ka mund të merr karakter obligues nëse Serbia do të kishte pranuar që të nënshkruhet Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, të dakorduar po ashtu vitin e kaluar.

Përkitazi me këtë, ai thotë se draft-statuti i asociacionit i hartuar nga BE-ja ka mbetur si një propozim pa asnjë detyrim dhe obligim për Kosovën.

“Drafti nuk është pranuar dhe ka dështuar që të merr një formë të obligimit ndaj Kosovës. Prandaj edhe quhet non-paper sepse nuk është obligues, pasi nuk është nënshkruar dhe nuk është pranuar. Si mund ta quajmë një draft të tillë. Nuk mund të dërgohet pasi nuk është pranuar dhe është refuzuar me 26 tetor. Ka kaluar ajo ditë dhe ajo kohë. Ka qenë oferta e nënshkrimit dhe Serbia e ka refuzuar. Tani nuk mund të kthehesh në një obligim dhe ta bësh të detyrueshëm një draft që Serbia e ka refuzuar dhe s’ka dashur të pranojë atë draft. Ai ka mbetur tashmë në atë formë si një propozim pa një detyrim dhe obligim pasi s’ka arritur që të përkthehet si një i tillë”, thekson Zulfaj.

Zulfaj akuzon Serbinë për destruktivitet në dialog dhe moszbatim të marrëveshjeve, ndërsa pret qasje të re në proces nga BE-ja për normalizimin e raporteve mes dy vendeve edhe pse për momentin nuk janë planifikuar takime të nivelit të lartë në Bruksel.

Zulfaj e sheh si pengesë dialogun në disbursimin e milionave eurove për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne presim që Komisioni i ri Evropian me përfaqësues të ri të lartë të Bashkimit Evropian, por edhe me komision të ri, të ketë reflektim në ngecjet karshi zbatimit të marrëveshjes së arritur vitin e kaluar. Kësisoj të arrijmë deri te normalizimi dhe njohja de-facto e dyanshme që kemi arritur vitin e kaluar. Vetëm kjo garanton që të kemi një kapërcim dhe një normalizim të marrëdhënieve”, shton ai.

Zulfaj ka thënë se raporti i Komisionit Evropian flet për progres të Kosovës.

Sa i përket zhbllokimit të vendimmarrjes në CEFTA, Zulfaj deklaron se i njëjti do të mundësojë zbatimin e tregut të përbashkët rajonal.

Krahas kësaj, duke folur për vendimin që të hiqet regjimi i vizave për Bosnjë e Hercegovinën, Zulfaj thotë se presin që edhe Sarajeva zyrtare të zbatojë marrëveshjen dhe të ketë liri të lëvizjes për qytetarët e të dyja vendeve.