Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar publikisht nëpërmjet një deklarate në rrjetet sociale lidhur me përfshirjen dhe praninë e të miturve në ambientet ku zhvillohen protesta dhe përplasje. Koçiu nënvizoi se mjedisi i fëmijëve duhet të mbetet shkolla dhe edukimi, duke e cilësuar mbrojtjen e tyre si një përgjegjësi absolute dhe të panegociueshme.
Në mesazhin e saj drejtuar shoqërisë dhe veçanërisht prindërve, zv.kryeministrja kërkoi distancim të menjëhershëm nga aktet e dhunës dhe largimin e të miturve nga zonat e tensionuara. Ajo nëvizoi se përtej çështjes së pjesëmarrjes apo mungesave në procesin mësimor, prioritet parësor mbetet siguria fizike dhe mirëqenia e fëmijëve, duke bërë thirrje për maturi dhe përgjegjshmëri nga të gjitha palët e përfshira.
“Fëmijët nuk e kanë vendin mes dhunës dhe kaosit. Vendi i tyre është në bankat e shkollës, mes librave, në dritën e dijes dhe në sigurinë që meritojnë. Mbrojtja dhe siguria e fëmijëve janë një përgjegjësi absolute dhe e panegociueshme e të gjithëve! Distancohuni nga dhuna, ulni tensionet dhe largoni menjëherë të miturit nga zonat e përplasjes. Asnjë kauzë, sado e madhe dhe e drejtë të duket, nuk vlen më shumë se jeta dhe siguria e një fëmije.”, shkruan Koçiu.
