Lajme

Zyrtarët grekë “presion Shqipërisë” që të adresojë shqetësimet për integritetin e zgjedhjeve në Himarë

Athina zyrtare nuk heq dorë nga ndërhyrja në punët e brendshme të Shqipërisë, këtë herë duke pretenduar për parregullsi të mëdha në zgjedhjet vendore të Himarës.

Zyrtarët grekë po i bëjnë presion Shqipërisë që të adresojë shqetësimet, në lidhje me integritetin e zgjedhjeve bashkiake të së dielës në qytetin jugperëndimor të Himarës, sipas mediave greke.

“Pretendimet nga minoriteti grek për manipulimin e listës së votuesve dhe mohimin e të drejtës së votës për shkak të kartave të identitetit të skaduara ngrenë dyshime serioze për procesin”, thanë zyrtarët grekë për televizionin grek “SKAI”.

“Parimet demokratike dhe standardet europiane kërkojnë që autoritetet shqiptare të adresojnë këto shqetësime”, vijuan më tej të njëjtat burime, të paidentifikuara.

Në zgjedhjet e Himarës, kandidati i Partisë Socialiste Vangjel Tavo fitoi me 58.62% të votave, ndërsa Petro Gjikuria mori 41.38%. Numërimi filloi pak pas mesnate teksa të dy kandidatët ishin të pranishëm.

Tavo falënderoi kryeministrin Edi Rama dhe ftoi Gjikurinë të shërbejë si nënkryetar bashkie.