Vetëvrasja mbetet një sfidë e madhe për shëndetin publik, me më shumë se 700,000 vdekje çdo vit në të gjithë botën. Çdo vetëvrasje ka pasoja të mëdha sociale, emocionale dhe ekonomike, duke prekur individët dhe komunitetet anembanë globit.
Tema për vitet 2024-2026 për Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjeve është: “Të ndryshojmë narrativën për vetëvrasjen”, me thirrjen për veprim: “Nisni bisedën”.
“Kjo temë synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e zvogëlimit të stigmës dhe nxitjes së bisedave të hapura për të parandaluar vetëvrasjet. Ndryshimi i narrativës për vetëvrasjen ka të bëjë me transformimin e mënyrës se si e perceptojmë këtë çështje të ndërlikuar dhe kalimin nga një kulturë heshtjeje në një kulturë më të hapur, mirëkuptuese dhe mbështetëse,” ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Thirrja për veprim i nxit të gjithë të nisin një bisedë për vetëvrasjen dhe parandalimin e saj. Çdo bisedë, sado e vogël, kontribuon në krijimin e një shoqërie më mbështetëse. Duke nisur këto biseda të rëndësishme, ne mund të thyejmë barrierat dhe të rrisim ndërgjegjësimin. Kjo temë thekson gjithashtu nevojën për të vendosur prioritet në parandalimin e vetëvrasjeve dhe shëndetin mendor.
Shenjat që tregojnë nëse dikush po përjeton mendime vetëvrasëse:
– Shprehja e dëshirës për t’i dhënë fund jetës;
– Ndjenja e pafuqisë për të ndryshuar të tashmen dhe gjendjen e vështirë emocionale;
– Mendimi se dikush mund të jetë barrë për të tjerët;
– Sjelljet e rrezikshme apo dëmtuese ndaj vetes;
– Tërheqja nga marrëdhëniet shoqërore;
– Abuzimi me substanca;
– Dhurimi i sendeve personale mund të sinjalizojnë vuajtje dhe dhimbje të mëdha.
Përveç kësaj, përjetimi i periudhave të gjata të depresionit të ndjekura nga nervozizëm, zemërim i tepruar ose edhe një qetësi e papritur, janë shembuj të luhatjeve të rënda emocionale që duhet të trajtohen me seriozitet.
Bisedat e hapura për këto shenja mund të jenë një hap drejt parandalimit të një tragjedie të mundshme.