Një analizë e gjerë në Angli ka ngritur alarmin për një fenomen shqetësues: të paktën 11 lloje të ndryshme kanceri po bëhen gjithnjë e më të zakonshme tek të rinjtë. Studimi, i realizuar nga Instituti i Kërkimeve për Kancerin dhe Imperial College London, tregon një rritje të rasteve në grupmoshat nga fundi i adoleshencës deri në të 40-at, një trend që prej vitesh ka habitur komunitetin shkencor.
Megjithëse shkaku i saktë i kësaj rritjeje mbetet ende i paqartë, studiuesit sugjerojnë se një nga faktorët kryesorë mund të jetë shtimi i mbipeshës dhe obezitetit gjatë dekadave të fundit. Sipas raportit, rritja e yndyrës trupore mund të ndikojë në ndryshimin e hormoneve si insulina, duke rritur kështu rrezikun për zhvillimin e kancerit. Megjithatë, kjo nuk e shpjegon plotësisht fenomenin.
Studimi evidenton se përveç kanceri i zorrëve, janë në rritje edhe kanceri i tiroides, mëlçisë, veshkave, pankreasit, fshikëzës së tëmthit, si dhe kanceri i gjirit, vezoreve dhe ai i gojës. Ndër më të përhapurit tek të rinjtë mbeten kanceri i zorrës së trashë dhe ai i gjirit, me rreth 11,500 raste në vit, ndërsa disa forma si kanceri i pankreasit janë më të rralla, por gjithsesi në rritje.
Një rast që ilustron këtë realitet tragjik është ai i Bradley Coombes, një i ri nga Portsmouth që humbi jetën në moshën 23-vjeçare nga kanceri i zorrëve. Pavarësisht simptomave të qarta, ai u konsiderua për një kohë të gjatë “shumë i ri” për një diagnozë të tillë. Sëmundja iu diagnostikua vetëm pas 18 muajsh, kur tumori kishte avancuar ndjeshëm, duke e bërë trajtimin të pamundur.
Nëna e tij, Caroline Mousdale, kujton se djali i saj ishte në formë të shkëlqyer fizike dhe pa faktorë të dukshëm rreziku. Ai kishte plane për një karrierë në futboll dhe një jetë përpara, por gjithçka iu ndërpre për shkak të një diagnoze të vonuar.
Ndërkohë, analiza tregon se faktorë të njohur si duhani, alkooli, mungesa e aktivitetit fizik apo dieta me pak fibra nuk janë përkeqësuar në mënyrë të ndjeshme, çka e bën edhe më të vështirë identifikimin e shkakut kryesor. Studiuesit theksojnë se, për shembull, në rastin e kancerit të zorrëve, vetëm rreth 20% e rasteve shtesë mund të lidhen me mbipeshën, ndërsa pjesa tjetër mbetet e pashpjeguar.
Ekspertët nënvizojnë se, pavarësisht rritjes së rasteve tek të rinjtë, kanceri mbetet më i zakonshëm tek moshat e mëdha. Statistikat tregojnë se rreth një në 1,000 persona të rinj diagnostikohen çdo vit, krahasuar me një në 100 tek grupmoshat mbi 50 vjeç.
“Është shqetësuese të shohësh këtë trend, por ka ende hapa që mund të ndërmerren për të ulur rrezikun,” u shpreh Montserrat García Closas nga Instituti i Kërkimeve për Kancerin. Ajo thekson rëndësinë e një stili jetese të shëndetshëm, përfshirë aktivitetin fizik dhe mbajtjen e një peshe normale.
Shkencëtarët po vijojnë kërkimet për të zbuluar faktorë të tjerë të mundshëm, si ushqimet ultra të përpunuara, ndotja e ajrit, përdorimi i antibiotikëve apo ndryshimet në bakteret e zorrëve. Një tjetër hipotezë është se përmirësimi i metodave diagnostikuese mund të ketë ndikuar në identifikimin më të hershëm të rasteve.
