Deri më sot kanë ngritur krye e janë mbajtur gjallë shumë mite e paragjykime që kanë të bëjnë me këtë sëmundje, çka ua bën të vështirë jetën jo vetëm njerëzve që vuajnë nën ato simptoma, por edhe vetë njerëzve, të cilët shpesh u duhet t’u rrinë pranë. Ja çfarë duhet të mbani parasysh që t’i tejkaloni të tilla situata.
“Nëse depresioni të kaplon, jeta të bëhet ferr. Ajri rreth teje pakësohet e bëhet ujë, që ta bën ta humbasësh peshën dhe madje edhe gjërat e detyrimet më rutinore, të bëhen shumë të vështira. Ti ndihesh i plogësht, si shpirtërisht ashtu dhe mendërisht, dhe të duket sikur asgjë s’të çliron dot prej tij.”
Kështu e ka përkufizuar vuajtjen që të shkakton depresioni, Jamie Flexman, një shkrimtar e mësues kitare, që është marrë me eksperiencat jetësore të njerëzve që vuajnë nga depresioni. Por përshkrime të ngjashme mund të hasnim shumë.
Ata që s’e kanë provuar e që përballen me persona të tillë, u duket shpesh e vështirë ta kuptojnë e ta pranojnë se çfarë u ndodh njerëzve që preken nga depresioni. Deri më sot kanë ngritur krye e janë mbajtur gjallë shumë mite e paragjykime që kanë të bëjnë me këtë sëmundje, çka ua bën të vështirë jetën jo vetëm njerëzve që vuajnë nën ato simptoma, por edhe vetë njerëzve që shpesh u duhet t’u rrinë pranë.
Më e keqja është frika
Nuk është vetëm frika se ajo sëmundje nuk do të kalojë kurrë apo se gjërat do të shkojnë edhe më keq, ajo që mbizotëron. Është edhe frika se miqësitë apo lidhjet dashurore mund të merrnin fund prej saj. Se njerëzit mund të të kthenin shpinën, pasi ata thjesht nuk e kuptojnë dot atë gjendje. Ata nuk mund të kuptojnë dot se takimet mund të anulohen dhe në minutën apo madje sekondën e fundit ndonjëherë, pasi atë ditë thjesht nuk është një ditë e bukur apo një ditë “e mirë”.
Nëse ti pra dashuron një njeri me depresion apo je i miqësuar me të, duhet t’ia bësh me dije shpesh se kjo kundrejt teje të paktën është fare e pamotivuar dhe e pabazuar.
Është një sëmundje si të tjerat
Depresioni vlerësohet si një sëmundje mendore (disa megjithatë nuk e mendojnë kështu), por kjo nuk e bën atë më pak të dëmshëm dhe gjithashtu edhe jo më pak të ndjeshëm se sëmundjet fizike. Simptomat sigurisht se nuk janë të dukshme në shenja fizike, e ndoshta edhe të pakuptueshme për shumëkënd, por kjo s’do të thotë se ato nuk ekzistojnë, nuk janë aty.
Ato madje mund të verifikohen në çast. Nëse trurit njerëzor i mungojnë kimikate si dopamina, serotonina, adrenalina apo dhe noradrenalina, kjo shkakton një disbalancim mendor.
Depresioni nuk duhet ngatërruar kurrë me dobësinë
Kush vuan nga depresioni, nuk është i dobët. Madje ka shumë gjasa që depresioni ta bëjë një njeri edhe më kreativ, të japë më shumë rendiment e më empatik. Vetëreflektimi merr një rol shumë të madh te njerëzit që vuajnë nga depresioni. Sipas studimeve të fundit, rezulton se të tillë njerëz kanë një aftësi më të mirë gjykimi dhe një shqisë perceptuese më të mprehtë.
Gjërat më të thjeshta mund të kthehen në një sfidë
Për një njeri me depresion, mund të ishte një sfidë e vërtetë ngritja nga shtrati apo shkuarja në dush e po ashtu ajo në punë. Kush nuk ka vuajtur kurrë nga depresioni, nuk mund ta kuptojë dot tërësisht këtë ndjesi. Për këtë arsye, duhet të besosh se ai apo ajo që vuan prej tij, po thotë të vërtetën dhe të mos përpiqesh ta krahasosh realitetin e saj / tij me atë tëndin.
Nuk ka gjithmonë një arsye “logjike”
Depresioni është dhe “mashtrues”. Të prekurit prej tij mund të kalojnë një ditë të mirë dhe papritur depresioni t’ua shkatërrojë gjithë kënaqësinë e ditës. E për këtë, nuk është se ka gjithnjë një arsye për ta shpjeguar. Ndonjëherë, dëshpërimi nuk është ai që shpjegon gjithçka. Kështu që nëse je pranë një njeriu që preket nga depresioni papritur pranë teje, mos u përpiq të gjesh arsyen se pse ndodhi, por përpiqu ta pranosh situatën.
Depresioni nuk zhduket, kur “shpërthen”
Fjalë si “shpërthe” (çlirohu, shfry) apo “hajde në vete” për njerëz me depresion janë ekstremisht prekëse, e kështu mund t’i dëmtoni. Ato ua forcojnë atyre ndjesinë e të qenët vetëm një zhgënjim i madh për veten e tyre dhe ua zbret në maksimum vetëvlerësimin. Vetëkuptohet se ata përpiqen ta tejkalojnë sëmundjen fatkeqe që i ka zënë. Por siç ndodh edhe me sëmundje të tjera, rezultatet nuk mund të korren dot sa hap e mbyll sytë. Është një luftë e gjatë dhe jo vetëm një vendim i njëanshëm.
Ti e di ndoshta se sa keq janë punët
Njerëzit me depresion shpesh përpiqen të fshehin arsyet e vërteta të gjendjes së tyre. Shpesh ata edhe vetë nuk duan të kuptojnë se sa keq ndihen dhe se kanë nevojë për ndihmë. Nëse ti dashuron një njeri me depresion, ka shumë gjasa që ai / ajo të mos të ketë treguar ty për “sekretin” që fsheh. Ka shumë mundësi që ai apo ajo, ta bëjë këtë se do të ruajë pikërisht marrëdhënien apo lidhjen tuaj, do ta ushqejë atë.
Ai /ajo nuk do të të bëhet barrë
Njerëzit që luftojnë kundër depresionit, nuk duan t’u bëhen barrë të tjerëve. Ata nuk duan ta transportojnë gjendjen e tyre negative te të tjerët. Depresivët nuk kërkojnë vëmendjen apo mëshirën tuaj, përkundrazi. Ajo çka ata kërkojnë më shumë, është trajtimi si çdo kush tjetër në këtë botë.
Depresivët reagojnë me ndjeshmëri ndaj ambientit
Njerëzit me depresion reagojnë shpesh me hipersensibilitet ndaj mjedisit apo rrethanave të çastit. E në këtë rast, mund të ngrejë krye rreziku që ata të hyjnë pa dashje me tepri në botën e ndjenjave të tjetrit dhe të fitojnë përshtypjen se e gjithë bota mbahet nga shpatullat e tyre. Nëse ti dashuron një njeri me depresion, ia thuaj saktësisht se cilat janë nevojat e tua dhe pyet për të tijat / të sajat, kjo do ta ndihmonte personin depresiv.
Ka më shumë se një realitet
Nëse dikush po kalon në dukje një periudhë të vështirë, është një impuls tejet i natyrshëm për të treguar eksperiencat e veta, për të bërë të qartë se dhembja e tij mund të tejkalohet. Sigurisht se në shumicën e rasteve, kjo nuk ndodh. Realiteti yt nuk ka të bëjë me realitetin e tij. Zakonisht ti mund të ndihmosh thjesht duke heshtur.
Depresioni yt s’ka të bëjë me ty
Nëse dashuron një njeri që vuan nga depresioni, është e rëndësishme të kuptosh se gjendja e tij e parehatisë, nuk ka të bëjë fare me ty. Kjo ndonjëherë mund të jetë shumë e vështirë. Nëse partnerit tënd punët s’po i shkojnë mirë, ekziston frika që ajo të gjendej tek ai vetë, shumë pranë teje. Por është e rëndësishme të kuptosh se depresioni i një njeriu, në thelb ka të bëjë vetëm me të dhe jo me ty.
Është ok, nëse je i pakënaqur
Të duash një njeri që vuan nga depresioni, është një sfidë. Ai / ajo që vuan ka nevojë për dashurinë tënde, e duhet të dijë se ti po e mbështet. Kjo, megjithatë, s’do të thotë se ndjenjat e tua dhe gjendja jote emocionale, kanë më pak rëndësi. Nëse ti je i pakënaqur, duhet ta thuash hapur. Vetëm kështu ju mund të zbuloni se çfarë është gjëja më e mirë që funksionon për të dy.