Lajme

12 milionë euro për rrugën Kijevë-Dollc, Ministria rihap tenderin për zgjerimin e saj

Ministria e Infrastrukturës ka nisur procedurën e ritenderimit për zgjerimin e rrugës nacionale N9, në segmentin Kijevë-Dollc, përkatësisht për Lotin 1.

Sipas njoftimit për kontratë, projekti parasheh zgjerimin e rrugës kryesore në një gjatësi prej katër kilometrash, si dhe ndërtimin apo zgjerimin e akseve sekondare me gjatësi të përgjithshme prej 1,740.63 metrash.

Vlera e parashikuar e kontratës arrin në 12 milionë euro, ndërsa afati për përfundimin e punimeve është 365 ditë nga dhënia e kontratës.

Përzgjedhja e operatorit ekonomik do të bëhet në bazë të ofertës ekonomikisht më të favorshme, ku përveç çmimit do të vlerësohen edhe plani dinamik i punimeve dhe periudha e garancisë, e cila parashihet të jetë nga dy deri në pesë vjet.

Sipas kushteve të tenderit, afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 9 dhjetor 2026, në orën 14:00. Po ashtu, kompanitë pjesëmarrëse duhet të ofrojnë siguri të tenderit në vlerë prej 300 mijë eurosh.

Me këtë procedurë, Ministria e Infrastrukturës synon të vazhdojë procesin e realizimit të projektit për zgjerimin e segmentit Kijevë-Dollc.

Të Ngjashme