Çifti i famshëm, George dhe Amal Clooney, ka festuar 12 vjetorin e martesës. Ata u martuan në vitin 2014 në Venecia, në një ceremoni ku morën pjesë edhe shumë personazhe të njohur.
Sot, ata janë prindër të dy binjakëve 9-vjeçarë, Alexander dhe Ella.
Familja jeton në pronën e tyre në Francë.
Ndërkohë një rregull që vendosën që në fillimet e jetës së tyre së bashku vazhdon të jetë pjesë e marrëdhënies së çiftit edhe në ditët e sotme. George dhe Amal nuk duhet të qëndrojnë larg njëri-tjetrit për më shumë se një javë.
Pas martesës, ata të dy kishin vendosur që angazhimet profesionale dhe distanca të mos bëheshin pengesë për marrëdhënien e tyre.
Këtë ‘sekret’ e ka zbuluar aktori i famshëm gjatë një interviste për ‘News.com.au’ në vitin 2015, kur tregonte se martesa nuk kishte sjellë ndonjë ndryshim të vështirë për të.
‘Asgjë nuk ishte e vështirë. E vetmja gjë me të cilën duhet të përshtatemi janë oraret tona. Marrëveshja jonë është që nuk mund të qëndrojmë larg njëri-tjetrit për më shumë se një javë. Deri tani po funksionon mjaft mirë’, kishte treguar aktori.
Edhe pse çifti ka prona në vende të ndryshme të botës, përfshirë një shtëpi në liqenin Como, banesa e tyre kryesore është një pronë me vreshta në Brignoles të Francës.
Prona, e njohur si Domaine du Canadel dhe me një sipërfaqe rreth 172 hektarë, u ble nga çifti në vitin 2021 për një shumë që raportohet se ishte 8.3 milionë dollarë.
