Lidhja Demokratike e Kosovës ka paraqitur në Kuvend propozimet për deputetët që do ta përfaqësojnë këtë parti në 16 komisionet parlamentare.
Sipas propozimeve të LDK-së, dy deputetë do të marrin drejtimin e komisioneve parlamentare. Jehona Lushaku-Sadriu është propozuar për kryetare të Komisionit për Integrimin Evropian, ndërsa Besian Mustafa për kryetar të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Në komisionet e tjera, deputetët e LDK-së janë propozuar për pozita të zëvendëskryetarëve dhe anëtarëve.
Në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Doarsa Kica-Xhelili është propozuar zëvendëskryetare e parë.
Ndërkaq, Ukë Rugova është propozuar zëvendëskryetar i parë në Komisionin për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport.
Fadil Hadërgjonaj është propozuar zëvendëskryetar i parë i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ndërsa Paris Guri për zëvendëskryetar të parë në Komisionin për Kulturë, Turizëm, Sport dhe Rini.
Pjesë e propozimeve të LDK-së janë edhe deputetët Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Lutfi Haziri, Hykmete Bajrami, Ermal Sadiku, Albena Reshitaj, Armend Zemaj, Janina Ymeri, Anton Quni dhe Arben Gashi, të cilët janë propozuar si anëtarë në komisionet përkatëse.
Propozimet e LDK-së janë paraqitur në seancën e Kuvendit, në kuadër të formimit dhe funksionalizimit të 16 komisioneve parlamentare.
