Prokuroria Themelore në Prishtinë, përveç lëndëve të shumta e numrit të pakët të prokurorëve, sfidë tjetër ka edhe numrin e madh të seancave gjyqësore.
Vetëm gjatë vitit 2025 nga tri departamentet janë mbajtur mbi 14 mijë seanca gjyqësore, gjë që pretendohet se nuk u ka lënë hapësirë prokurorëve të merren me lëndë të tjera.
Para Këshillit Prokurorial të Kosovës, të hënën ishte zëvendës kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Arianit Salihu i cili prezantoi raportin për vitin 2025.
Salihu: Totali i të gjitha lëndëve të përfunduara në tre departamente janë gjithsej 7 mijë e 744
“Gjatë vitit 2025 ka funksionuar me gjithsej 52 prokurorë. Lëndë të bartura në departamentin për krime të rënda janë gjithsej 633 lëndë me 2 mijë e 400 persona, të pranuara të reja janë 469 lëndë. Të zgjidhura janë 444 lëndë me gjithsej 848 persona. Në departamentin për të mitur janë bartur gjithsej 567 lëndë. Në departamentin e përgjithshëm janë bartur nga vitit 2024 4 mijë e 160 lëndë me 11 mijë e 64 persona. Të përfunduara gjatë vitit 2025 janë gjithsej 6 mijë e 689 raste. Totali i të gjitha lëndëve të përfunduara në tre departamente janë gjithsej 7 mijë e 744 lëndë të zgjidhura me gjithsej 9 mijë e 391 persona.. 14:45 Gjatë 2025 nuk mund të themi se kemi qenë keq, por tanimë në 2026 numri i prokurorëve është relativisht i vogël dhe ky numër natyrisht që duhet të rritet në mënyrë që të rrisim efikasitetin”, tha Salihu.
Salihu u pyet nga anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi se a duhet të ekzistoj njësiti për krime ekonomike dhe korrupsion.
Krasniqi: A mendoni se duhet të ekzistoj ky njësit
“A ja vlen me investu në këtë njësit, duke pasur parasysh numrin e vogël në krahasim me numrin e lëndëve që ka Prishtina me 52 prokurorë. A mendoni se duhet të ekzistoj ky njësit? A duhet të ketë riorganizim, investim?”, pyeti Krasniqi.
Të rëndësishëm e quajti Salihu njësitin për krime ekonomike, porse duhet të rriten kapacitetet.
Salihu: Njësiti duhet të vazhdoj por duhet të përkrahet fuqishëm nga KPK
“Edhe në të kaluarën ka pasur dilema të tilla se a duhet të vazhdoj të ekzistoj njësiti apo jo. Ish prokurori ka dalur dhe ka thënë para Këshillit se ky njësit duhet funksionuar dhe ka bindur këshillin që është shumë i rëndësishëm për trajtimin e rasteve të krimeve ekonomike dhe korrupsionit, edhe unë jam i të njëjtit mendim. Sot në njësit janë prokurorë të caktuar që merren vetëm me këto raste, në çoftë se nuk do të ishte ky njësit rastet do të shpërndaheshin. Njësiti duhet të vazhdoj por duhet të përkrahet fuqishëm nga KPK në rritjen e kapaciteteve, bashkëpunëtorëve, avancimin e njohurisë e trajnime në mënyrë që të eliminojmë të gjitha dilemat,” tha ai.
Zëvendës kryeprokurori përmendi edhe sfidën e mbetjes pas orarit të punës, por edhe punën gjatë ditëve të pushimit.
Salihu: Këshilli e din ngarkesat e kësaj Prokurorie që nuk ka orar administrativ
“Këshilli e din ngarkesat e kësaj Prokurorie që nuk ka orar administrativ 8:00-16:00, shumica e prokurorëve vazhdojnë aktivitetin pas orës 16:00. Dalin të punojnë në zyre edhe shtune diele, trajtojnë lëndë edhe nga shtëpitë e tyre. Për shkak se nëse fokusohemi në orar do të ishte e pamundur në ngarkesën që ne funksionojmë. Akoma nuk kemi arritur në atë nivel që çdo prokurorë të ketë nga një bashkëpunëtorë. Sfidë tjetër është edhe numri i seancave. Në departamentin për krime të rënda gjatë 2025, prokurorët kanë përfaqësuar seanca në 1 mijë e 597 seanca. Për të mitur 1 mijë e 120 seanca, ndërsa në të përgjithshëm në numër 11 mijë e 305 seanca. Totali i seancave e tejkalon numrin 14 mijë seanca. Asnjë ditë të vetme nuk e kemi në dispozicion për tu marrë me lëndë tona, që të thërrasim palë, gjithë ditën prokurorët janë në seanca dhe kjo po përkeqëson edhe numrin e zgjedhjes së rasteve”, tha Salihu.
Ndërkohë, anëtari Milot Krasniqi rikujtoi tensionin e mbledhjes së kaluar me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj, ku theksoi se atmosfera e punës u vërejt më mirë.
Krasniqi: Sot e keni atmosferën më të mirë dhe keni mundësi me paraqit rezultatet e punës
“Është fat i mirë që sot e keni atmosferën më të mirë dhe keni mundësi me paraqit rezultatet e punës, për dallim nga java e kaluar”, tha ai.
Për të njëjtën, kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi tha se i njëjti nuk po komenton.
Gashi: Sa i përket çështjes së atmosferës që ngritet, kjo varet nga mënyra se si raportojnë subjektet raportuese
“Sa i përket çështjes së atmosferës që ngritët, kjo varet nga mënyra se si raportojnë subjektet raportuese. Sot, kemi subjekt raportues që po përgjigjet në pyetjet tona dhe nuk po i komenton ato dhe subjektet e raportimit janë për raportim e jo parashtrim të pyetjeve dhe se e imja si kryesues është që të ndërhyj dhe të mbaj rend sa herë është e nevojshme”, tha Gashi.
Më tej, Gashi kërkoi të di në rast se janë duke u zbatuar udhëzimet e Prokurorisë së Apelit kur rastet kthehen në rivendosje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Për këtë, Salihu tha se shpeshherë kanë pasur vendime të Prokurorisë së Apelit pa udhëzime konkrete.
Salihu: Kemi pas raste që nuk ka pas udhëzime
“Kemi pas raste që nuk ka pas udhëzime, kemi pas raste që kanë kërkua mu riprocedua dëshmitarët dhe i dëmtuari dhe cili është qëllimi i riprocedimit dhe ne kemi konsideru se nuk kemi çka të riprocedojmë, kemi pas rekomandim nga Prokuroria Apelit që të ndërmarrim veprime ndaj një personi për vendimmarrje të caktuar për një institucion që nuk ka qenë fare pjesë e atij institucionit”, tha Salihu.
Ndërkaq, Kryeprokurori Shtetit, Zejnulla Gashi tha se do të shikojnë gjendjen, me qëllim që të mos kthehen lëndën të cilat sipas tij po zvarritet procedura e tyre.
Gashi: Do të mundohemi që të bëjmë një skanim të gjendjes
“Do të mundohemi që të bëjmë një skanim të gjendjes që të shihen se cilat argumente janë më të qëndrueshme me qëllim që ato lëndë të mos kthehen dhe ky ping-pongu të mos jetë sepse po ndikon në zvarritje të procedurës dhe po ndikon edhe në përformancën e përgjithshme të prokurorive, në të ardhmen pra do të trajtohen këto nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, dhe do të vlerësohen të gjitha argumentet në kolegjiumet e ardhme”, u shpreh Gashi.
Në fund, u votua raporti i zëvendës kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Arianit Salihu.
