Lajme

16 vjet shtet i Kosovës, cili ishte vendi i parë që njohur Pavarësinë, po firmëtarët?

Republika e Kosovës feston sot 16 vjetorin e pavarësisë. Më 17 shkurt të vitit 2008 ora 15:39, Kuvendi i Kosovës shpalli njëzëri krijimin e shtetit të pavarur sovran dhe demokratik. Ajo ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për shqiptarët e Kosovës.

Por, a e dini cili ishte vendi i parë që e njohu Kosovën si shtet? Dhe nuk ishte Shqipëria!

Vendi i parë që e ka njohur Kosovën si shtet sovran e të pavarur është Republika e Kosta Rikës. Njohja nga ky shtet erdhi pikërisht ditën që Kosova e shpalli pavarësinë, për t’u ndjekur më pas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe, etj.

Por shteti i parë dhe i vetëm që njohu Pavarësinë e Kosovës në datë 17 Shkurt 2008, kur dhe ajo u shpall, ishte Republika e Kosta Rikas. Kjo është e bazuar dhe në listën e njohjeve të publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Lista e njohjeve nderkombetare te Kosoves
Lista e njohjeve nderkombetare te Kosoves

Po firmëtarët e parë të Deklaratës Solemne të Pavarësisë së Kosovës, i dini kush janë?!

Në nëntor të vitit 2005, nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007, i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur.

Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt të vitit 2008, në orën 15:39, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë. Deputetët e komunitetit serb nuk ishin të pranishëm në seancë.

Deklaratën e Pavarësisë e lexoi kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi. Ishte ajo deklarata e pavarësisë së shtetit më të ri në botë. Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

Momenti kur Hashim Thaçi lexon Deklaraten Solemne te Pavaresise se Kosoves
Momenti kur Hashim Thaçi lexon Deklaraten Solemne te Pavaresise se Kosoves – 17 Shkurt 2008

© Newsbomb.al

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo