
Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken ndodhet këtë të enjte në një vizitë zyrtare në Shqipëri. Ai ka mbërritur paradite dhe pritet të largohet në orët e mbrëmjes, pas takimeve me presidentin, kryeministrin, studentë shqiptarë të mbështetur nga SHBA dhe krerët e institucioneve të drejtësisë.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ka hartuar një plan të detajuar masash, për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë kësaj vizite.
Janë bllokuar një sërë rrugës dhe më shumë se 1.000 efektivë të Policisë së Shtetit nga të gjitha repartet janë angazhuar për sigurinë maksimale të Sekretarit Amerikan të Shtetit, duke përfshirë efektivë të reparteve speciale, FNSH, RENEA dhe ata të Forcës Kombëtare të Sigurisë.
Siç shihet dhe nga pamjet, në total janë 18 mjete, 17 makina policie e furgonë të Policisë së Shtetit dhe vetë makina e Ambasadës së SHBA në Tiranë, në të cilën ndodhej Antony Blinken.
Në ajër, gjatë gjithë itinerarit deri në “Marriot Hotel” ku është akomoduar Sekretari Amerikan i Shtetit, ka qenë dhe një helikopter. Qarkullimi i mjeteve dhe lëvizja e këmbësorëve në zonat ku kalonte eskorta e zyrtarit amerikan ka qenë i ndaluar nga ora 09.30 deri në 12.30 dhe do të bllokohet sërish nga ora 17.30 deri në orën 20.00.

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është anëtar i degës ekzekutive të qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara dhe kreu i Departamentit të Shtetit të SHBA. Mbajtësi i detyrës është anëtari i dytë më i lartë i kabinetit të presidentit, pas Zëvendës Presidentit, dhe renditet i katërti në linjën e trashëgimisë presidenciale të Shteteve të Bashkuara; i pari ndër sekretarët e kabinetit.
Sekretari i Shtetit përfaqëson Shtetet e Bashkuara në vendet e huaja, dhe për këtë arsye konsiderohet i ngjashëm me një ministër të punëve të jashtme në vende të tjera.
Ai, së bashku me Sekretarin e Thesarit, Sekretarin e Mbrojtjes dhe Prokurorin e Përgjithshëm, përgjithësisht konsiderohen si katër anëtarët më të rëndësishëm të kabinetit për shkak të rëndësisë së departamenteve të tyre përkatëse në SHBA, shkruan newsbomb.al.
© Newsbomb.al
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo