ShowBizzz

2 fëmijë të vdekur, 11 persona të plagosur nga sulmi me thikë në Angli

Një adoleshent sulmoi me thikë fëmijët gjatë një kursi për mësimin e vallëzimit dhe jogas të hënën në Anglinë veriperëndimore. Dy fëmijë u vranë dhe 11 persona të tjerë u plagosën gjatë sulmit të egër që i detyroi fëmijët të vrapojnë të gjakosur nëpër rrugë për t’i shpëtuar tmerrit, u mësua nga policia dhe dëshmitarët.

Një djalë 17-vjeçar u arrestua si autori i dyshuar i sulmit në Southport, një qytet bregdetar pranë Liverpulit, njoftoi policia. Motivi nuk ishte i qartë, por policia tha se detektivët po e trajtonin rastin si një sulm terrori.

Nëntë fëmijë u plagosën, gjashtë prej tyre në gjendje të rëndë. Dy të rritur që u përpoqën t’i mbrojnë, janë gjithashtu të plagosur në gjendje të rëndë, tha policia.

“Mendojmë se të rriturit që u plagosën po përpiqeshin me trimëri të mbronin fëmijët që po sulmoheshin”, tha shefja e policisë Serena Kennedy.

Kursi jashtëshkollor me tematikë muzikën e këngëtares Taylor Swift, po mbahej në javën e parë të pushimeve për nxënësit e grupmoshës 6-11 vjeç. Reklama për këtë kurs premtonte mësimdhënie për jogën, vallëzimin dhe bërjen e byzylykëve.

Dëshmitarët përshkruan se si dëgjuan të bërtitura rrënqethëse dhe se si panë fëmijë të mbuluar nga gjaku.

“Ishin në rrugë, duke iu larguar me vrap kopshtit të fëmijëve”, tha Bare Varathan, pronar i një dyqani aty pranë. “Ishin goditur këtu, këtu, gjithandej”, tha ai duke treguar qafën, kurrizin dhe kraharorin.

Kryeministri Keir Starmer e quajti sulmin “të tmerrshëm dhe thellësisht tronditës”.

Policia tha se mori telefonata rreth mesditës për një adresë në Southport, një qytet bregdetar me rreth 100 mijë banorë, pranë Liverpulit. Situata u klasifikua si “një incident madhor”, por që nuk paraqiste rrezikshmëri të mëtejshme për publikun e gjerë.

“Kur mbërritën ata u tronditën kur zbuluan se njerëz të shumtë, disa prej të cilëve ishin fëmijë, i ishin nënshtruar një sulmi të egër dhe kishin pësuar lëndime të rënda”, tha zonja Kennedy.

Colin Parry, pronar i një punishteje për riparimin e makinave, tha se shumica e viktimave të goditjeve me thikë dukej se ishin vajza të reja.

“Nënat po vijnë këtu tani dhe po ulërijnë”, tha zoti Parry. “Është si një skenë nga një film horrori…”

I dyshuari, i cili nuk u identifikua menjëherë, jetonte në një fshat rreth 8 kilometra nga vendi i sulmit, tha policia. Ai ishte me origjinë nga qyteti Cardiff, i Uellsit.

Ryan Carney, i cili jeton me nënën e tij në këtë rrugë, tha se nëna e tij pa punonjës të emergjencave që mbanin në krahë fëmijë “të mbuluar me të kuqe, të mbuluar me gjak. Ajo tha se mund t’i shihte plagët me thikë në kurrizin e fëmijëve”.

“Të gjitha këto gjëra nuk ndodhin kurrë këtu rrotull”, tha ai. “Dëgjojmë për këto, goditje me thikë dhe gjëra të tilla në qytetet e mëdha, në Mançester, në Londër. Ky është Southport-i me diell. Kështu e quajnë njerëzit. Është një vend i mrekullueshëm për të jetuar”.

Sulmi më i keq në Britani ndaj fëmijëve ndodhi në vitin 1996, kur 43-vjeçari Thomas Hamilton vrau 16 fëmijë kopshti dhe mësuesen e tyre në një palestër shkolle në Dunblane, Skoci. Mbretëria e Bashkuar më pas ndaloi pronësinë private të pothuajse të gjitha armëve.

Të shtënat masive dhe vrasjet me armë zjarri janë të rralla në Britani, ku u përdorën thika për rreth 40% të vrasjeve deri në mars 2023. Disa sulme tronditëse dhe një rritje e kohëve të fundit e krimeve me thikë kanë shkaktuar ankth dhe thirrje për qeverinë që të bëjë më shumë kundër armëve të ftohta.



ks