Si sot 33 vite më parë, u rrëzua shtatorja e ish diktatorit Enver Hoxha, i cili kishte mbajtur nën sundim për 50 vjet popullin shqiptar, për të mbetur në histori si një ndër diktatorët më të egër ndaj popullit të tij, në historinë e Evropës.
Më 20 shkurt të vitit 1991 mijëra qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik.
Kjo ishte nga ngjarjet më të spikatura që ndikuan në rënien totale të regjimit komunist në Shqipëri. Rrëzimi i bustit të diktatorit u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij.
Ngjarja erdhi pas zhvillimeve të rëndësishme politike që kishin ndodhur në dhjetor 1990 kur përmes protestave studentore të pasuara nga protesta e shumicës së shqiptarëve, u rrëzua sistemi komunist.
Momenti kur statuja e Enver Hoxhës u rrëzua atë ditë të ftohtë shkurti me dhunë, por edhe që u tërhoq zvarrë njihet si akti simbolik i rrëzimit të diktaturës. Kësisoj 20 shkurti është caktuar si Dita e Kujtesës Kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunist. Kjo shënoi edhe fundin e diktaturës në Shqipëri.
Pamjet e atij momenti në sheshin “Skënderbej” bënë xhiron e botës dhe e vunë edhe një herë Shqipërinë në fokus të zhvillimeve ndërkombëtare.
Ditët e dhjetorit ‘90 dhe ato të muajve të parë të vitit 1991, ishin të ngjeshura me ngjarje mjaft të rëndësishme. Partia Demokratike nisi aktivizimin masiv me një miting në sheshin e Qytetit Studenti me 23 dhjetor 1990. Brenda pak ditësh u liruan nga burgu një grup prej 393 të dënuarish për arsye politike.
Kuvendi Popullor doli me një dekret më 23 janar 1991 që parashikonte respektimin dhe mbrotjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare dhe simboleve shtetërore, ku përfshihej busti i Enver Hoxhës.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo