Protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e saj të 21-të, ndërsa studentët dhe të rinjtë vijojnë përpjekjet për të zgjeruar pjesëmarrjen në lëvizjen që kërkon dorëheqjen e kreut të qeverisë.
Këtë të hënë (2 nëntor), një grup të rinjsh është futur në ambientet e Universitetit të Arteve, ku u është drejtuar studentëve me thirrjen “Bashkohuni me ne!”. Protestuesit kanë kërkuar bojkotimin e procesit mësimor dhe përfshirjen e studentëve në protestën që prej tri javësh vijon kundër qeverisë.
Gazetarja Rugova Dunisha raportoi për RTSH se më pas studentët kanë marshuar në Universitetin e Drejtësisë, Universitetin Politeknik, Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe më tej në Fakultetin e Mjekësisë me të njëjtin qëllim duke iu kërkuar të rinjve t’iu bashkohen.
Kujtojmë se në javët e para të zhvillimit, protesta u shoqërua edhe me episode të rënda tensioni dhe dhune. Përplasjet mes demonstruesve dhe efektivëve të policisë u shoqëruan me hedhje molotovësh, djegie koshash dhe vënie zjarri në disa institucione. Pavarësisht incidenteve dhe thirrjeve të përsëritura të Kryeministrit Edi Rama për dialog, protestuesit vijojnë të këmbëngulin në kërkesat e tyre.
