Më 3 qershor 2005 u godit një nga zërat më të guximshëm të gazetarisë kosovare. Gazetari i “Bota sot”, Bardhyl Ajeti, u qëllua me armë zjarri teksa po udhëtonte drejt Gjilanit, në afërsi të fshatit Bresalc. I plagosur rëndë nga atentati, ai u dërgua fillimisht për trajtim mjekësor në Prishtinë, ndërsa më pas në Milano të Italisë. Megjithatë, plagët e marra rezultuan fatale dhe ai ndërroi jetë, duke lënë pas një nga rastet më të rënda të sulmeve ndaj gazetarëve në Kosovën e pasluftës.
Dy dekada e një vit më vonë, vrasja e tij vazhdon të mbetet e pazbardhur, ndërsa emri i Bardhyl Ajetit përmendet si simbol i gazetarisë së guximshme dhe i përkushtimit ndaj fjalës së lirë. Rasti i tij vazhdon të ngjallë reagime dhe kërkesa për drejtësi, si nga familjarët ashtu edhe nga komuniteti mediatik, të cilët vlerësojnë se mosndëshkimi i autorëve mbetet një njollë për institucionet e drejtësisë.
Në 21-vjetorin e atentatit ndaj gazetarit të ndjerë, familja Ajeti ka kujtuar figurën dhe veprën e tij, duke theksuar se Kosova, përveç dëshmorëve dhe heronjve që sakrifikuan për lirinë e vendit, ka edhe dëshmorët e fjalës së lirë. Në një prononcim për “Bota sot”, familja u shpreh se Bardhyl Ajeti zë një vend të veçantë në mesin e tyre, si një gazetar që me punën dhe shkrimet e tij sfidoi kundërshtarët e lirisë dhe u bë simbol i përkushtimit ndaj së vërtetës.
“Kosova, si i ka dëshmorët dhe heronjtë që kanë dhënë jetën për lirinë e saj, i ka edhe dëshmorët dhe heronjtë e fjalës së lirë. Midis heronjve të fjalës së lirë ishte edhe Bardhyl Ajeti, i vrarë 21 vite më parë nga dora kriminale e armiqve të lirisë së Kosovës, sepse me shkrimet e tij i sfidoi armiqtë e lirisë së Kosovës.
Prandaj, shkrimet e tij guximtare përbënin kërcënim serioz ndaj armiqve të lirisë së Kosovës.
Bardhyl Ajeti përfaqësonte brezin e ri të gazetarëve të Kosovës së pasluftës, që me veprimtarinë e tyre i kanë paraprirë Kosovës së Pavarur”, deklarohet familja Ajeti.
Sipas familjarëve, Bardhyl Ajeti ishte pjesë e brezit të ri të gazetarëve të Kosovës së pasluftës, të cilët me punën dhe angazhimin e tyre i paraprinë ndërtimit të Kosovës së pavarur.
Duke folur për personalitetin dhe veprimtarinë e tij, familja thekson se Bardhyli ishte simbol i gazetarit-qytetar, i cili luftoi deri në momentin e fundit të jetës për një Kosovë demokratike, pa krime dhe pa vrasje.
“Bardhyli ishte simbol i gazetarit-qytetar që luftoi deri në momentin e fundit të jetës për një Kosovë demokratike pa vrasje, pa krime, duke ngritur zërin e tij shumë më tepër se politikanët e Kosovës. Pra, Bardhyli nuk bënte kalkulime, ai vepronte dhe vrasja e tij tregon se ai veproi në rrugën e duhur”, shprehet familja.
Në reagimin e saj, familja Ajeti ka ngritur sërish shqetësimin për moszbardhjen e rastit, duke vlerësuar se mungesa e drejtësisë vazhdon të rëndojë jo vetëm familjen, por edhe vetë lirinë e shprehjes në Kosovë.
“U bënë 21 vite nga vrasja e Bardhylit, e cila, përderisa të mos zbardhet vrasja e tij, do të mbetet edhe agonia e fjalës së lirë në Kosovë dhe drejtësia vazhdon shurdhmemecërinë e saj të verbër. Drejtësia hesht si gur varri për martirët e tjerë të fjalës së lirë dhe kjo është një padrejtësi e madhe” , thuhet më tej.
Familja ka kritikuar edhe heshtjen e institucioneve ndaj rasteve të pazbardhura të gazetarëve, duke e konsideruar atë si një padrejtësi të vazhdueshme ndaj figurës dhe sakrificës së Bardhyl Ajetit.
“Heshtja e institucioneve të Kosovës ndaj martirëve të penës, siç është rasti i vrasjes së Bardhylit, do të thotë vrasje e dytë për të. Të ecësh me kohën do të thotë t’u japësh atë që meriton Bardhylit dhe kolegëve të tij, të paktën post mortem, sepse ata janë nderi i Kosovës dhe faqja e bardhë e Kosovës”, përfundoi familja Ajeti.
