Lajme

Kurti premton mbështetje institucionale për personat me aftësi të kufizuara

Dinjiteti dhe mundësitë e barabarta duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes institucionale, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që ka zhvilluar të mërkurën me përfaqësuesit e HANDIKOS-it.

Kurti bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për sfidat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara, si dhe për nevojën për zgjidhje konkrete dhe mbështetje institucionale.

Vëmendje e veçantë, sipas tij, iu kushtua ligjit gjithëpërfshirës, i cili synon të adresojë në mënyrë të plotë nevojat dhe kërkesat e kësaj kategorie.

“Ky proces duhet të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me organizatat dhe shoqatat përkatëse, të cilat i njohin më së miri sfidat dhe nevojat e tyre”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka theksuar se Qeveria mbetet e angazhuar për adresimin e këtyre kërkesave dhe përmirësimin e mirëqenies së personave me aftësi të kufizuara./teve1.info/

Të Ngjashme