“Gjithë shpresojmë se vijnë një ditë”, kjo është shpresa që ka Sadete Ujkani, familjare e të zhdukurve.
Nga jugu, të premten e mori rrugën për në veriun e Mitrovicës.
E kjo, për të parë nga afër vendin ku për 27 vjet, dyshohet që qëndruan mbetjet mortore të më të dashurve të saj.
Është ky lokacioni i varrezës masive të zbuluar së fundmi, në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut.
Mes 23 personave, këtu dyshohet të jenë varrosur edhe trupat e dy vëllezërve dhe tre djemve të axhës së Sadete Ujkanit.
Të gjithë këta u vranë nga forcat serbe me 19 prill 1999.
E pas gati tri dekadave, familjarët thonë se ndjehen të lehtësuar që më fund, të dashurit e tyre do ta kenë një varr.
“Kemi një lehtësim, të ja gjejmë varrin e tyre, të shkojmë t’i vizitojmë, t’ja qesim naj lule.Është një mërzi shumë e rëndë, por kështu koka shkru për neve”, shprehet Ujkani.
Por lajmin për varrezën masive, Sadete Ujkani thotë se nuk ua ka treguar plotësisht prindërve.
Shkak për këtë, mosha e shtyrë e tyre.
“Ata janë pleq, mërziten. Nuk ju kemi tregu krejt, veç ju kemi tregu që është çelë një varr masiv e qaty të këqyrim kush po zbulohet”, tregon ajo.
Dhimbja e njëjtë u kthye sërish, edhe në familjen Fazliu.
“Akoma jemi duke e procesua lajmin sepse është një periudhë shumë e gjatë që kemi qenë në pritje. Takimi po duket abstrakt, por presim. Amo muj me thanë që e kemi ripërjetu dhimbjen, por tash jemi edhe në pritje të procedurave të tjera”, shprehet Flaka Fazliu.
Ani pse lokacionin e saktë nuk e dinte, Mujë Beqiri kishte njohuri për rrugën që i vëllai e mori me 19 prill të vitit 1999.
“Lokacionin e sakte nuk e dinim, por dyshonim që këtej…“Unë ndjehem i lehtësuar, tash e di ku e ka varrin, shkoj ai u dek tash, kështu paska qenë e shkruar”, thotë Beqiri.
Por, nga kush përbehej grupi i njohur prej 23 personave, që njihet si “Grupi i Intelektualëve”?
“ Në këta 23 nëntë persona janë nga Mitrovica 14 të tjerë janë nga komuna e Skenderajt, Morinëve”, thotë Gjyle Haziri nga shoqata “Zëri i prindëve
Në fund të kësaj vizite, familjarët i bën thirrje institucioneve për vendosjen e një pllake përkujtimore në vendin ku për 27 vjet, qëndruan mbetjet mortore të 23 personave të vrarë dhe zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.
