Lajme

28 vjet pritje për drejtësi: Njohësit flasin për rëndësinë e aktakuzës ndaj 35 të dyshuarve për krimet në Prekaz

Pas 28 vjetësh, Prekazi përballet edhe me një proces të ri në rrugën drejt drejtësisë. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë ndaj 35 personave, të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë sulmit të forcave serbe në lagjen Jashari, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998.

Aktakuza është ngritur me propozim për gjykim në mungesë, ndërsa sipas Prokurorisë, të gjithë të pandehurit dyshohet se janë ende gjallë. Autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se janë shterur mundësitë për sigurimin e pranisë së tyre në procedurë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e ka cilësuar rastin si aktakuzën e parë të këtij lloji që lidhet me vrasjen e civilëve në familjen dhe lagjen Jashari.

Sipas Prokurorisë, hetimet nuk janë përqendruar vetëm te fakti se sulmi ka ndodhur, por edhe te mënyra se si është organizuar dhe drejtuar ai. Prokurorët pretendojnë se kanë identifikuar njësitë që morën pjesë në operacion, pozicionet e tyre në terren, strukturën komanduese, aktivitetet e të pandehurve, armatimin e përdorur dhe dëmet e shkaktuara.

Në mesin e 35 të pandehurve, emri i bërë publik është Milorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legija”. Sipas prokurorit të rastit, Valdet Gashi, Ulemek drejtonte Njësinë për Operacione Speciale të Serbisë dhe, sipas aktakuzës, kishte marrë përsipër detyrën për sulmin e drejtpërdrejtë ndaj shtëpisë së familjes së Shaban Jasharit.

Prokuroria pretendon se sulmi nuk ishte një veprim i rastësishëm i forcave në terren, por një operacion i organizuar dhe i koordinuar nga nivele të larta komanduese të strukturave speciale të Policisë së Serbisë.

35 të pandehurit në aktakuzë janë paraqitur kryesisht me iniciale: J.S., V.D., S.L., G.R., M.U., Z.T., Z.S., S.V., B.C., Z.M., R.S., V.T., B.P., R.M., M.S., S.I., N.S., B.F., Z.B., C.B., Z.R., D.I., S.M., V.J., M.L., R.C., S.P., N.M., V.R., D.Z., O.S., B.D., L.C., I.T. dhe M.B.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Prokuroria Speciale, në kuadër të kësaj aktakuze përfshihen 26 viktima civile të vrara në lagjen Jashari, ndërsa viktima më e re ishte vetëm pesë vjeç. Prokuroria ka pretenduar gjithashtu se banorë të lagjes ishin marrë peng dhe ishin keqtrajtuar.

Tashmë mbetet që Gjykata Themelore në Prishtinë ta shqyrtojë këtë dosje dhe të vendosë për përgjegjësinë penale të secilit prej të pandehurve.

Rëndësia juridike e aktakuzës

Avokati Gazmend Halilaj, aktakuzën e konsideron hap të rëndësishëm në funksion të vendosjes së përgjegjësisë individuale penale për veprimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Image
Gazmend Halilaj

Sipas tij, drejtësia nuk duhet të kufizohet nga kalimi i kohës dhe krimet kërkojnë trajtim serioz, profesional dhe të bazuar në prova.

“Aktakuza për krimet e luftës në Prekaz – një hap i rëndësishëm në drejtim të drejtësisë! Dorëzimi i aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me krimet e luftës të kryera në lagjen e Jasharajve në Prekaz të Skenderajt paraqet një zhvillim me rëndësi të veçantë juridike dhe historike. Nga aspekti juridik, dorëzimi i aktakuzës për krime të luftës është një hap i rëndësishëm në funksion të vendosjes së përgjegjësisë individuale penale për veprimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Drejtësia nuk duhet të kufizohet nga kalimi i kohës, ndërsa krimet e luftës kërkojnë trajtim serioz, profesional dhe të bazuar në prova. Fakti që, sipas Prokurorisë, të 35 personat e identifikuar si të dyshuar për sulmin janë ende gjallë është me rëndësi të veçantë për zhvillimin e procedurës penale. Kjo krijon mundësinë që përgjegjësia eventuale penale e secilit prej tyre të shqyrtohet individualisht përpara gjykatës, duke respektuar të gjitha garancitë procedurale dhe të drejtën për një gjykim të drejtë”, deklaron Halilaj për “Bota sot”.

Në rastet e krimeve të luftës, Halilaj tregon se provat dhe dëshmitë e mbledhura ndër vite kanë rëndësi të jashtëzakonshme.

“Pas dorëzimit të aktakuzës, procedura vazhdon në përputhje me dispozitat përkatëse të procedurës penale. Gjykata duhet ta shqyrtojë aktakuzën dhe kushtet për vazhdimin e procedurës, ndërsa gjatë procesit gjyqësor Prokuroria duhet të paraqesë prova të mjaftueshme dhe bindëse për të dëshmuar përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve. Në rastet e krimeve të luftës, provat dhe dëshmitë e mbledhura ndër vite kanë rëndësi të jashtëzakonshme. Kalimi i më shumë se dy dekadave e bën edhe më të rëndësishme ruajtjen, verifikimin dhe vlerësimin profesional të provave, përfshirë dëshmitë e dëshmitarëve, dokumentet, materialet arkivore dhe çdo provë tjetër relevante”, shprehet avokati.

Drejtësia për viktimat në Prekaz, sipas Halilajt, nuk është vetëm çështje juridike, por detyrim.

Ai shton se viktimat meritojnë drejtësi, ndërsa drejtësia duhet të bazohet në ligj dhe prova.

“Drejtësia për viktimat e Prekazit nuk është vetëm çështje juridike. Është edhe detyrim institucional dhe moral ndaj atyre që humbën jetën dhe ndaj familjeve të tyre. Megjithatë, në një shtet të së drejtës, përgjegjësia penale duhet të përcaktohet vetëm nga gjykata dhe vetëm mbi bazën e provave të shqyrtuara në një proces të rregullt gjyqësor. Krimet e luftës nuk duhet të harrohen. Viktimat meritojnë drejtësi, ndërsa drejtësia duhet të bazohet në ligj dhe prova”, përfundon Halilaj.

Dëshmi e fuqishme e përgjegjësisë së krimeve ndaj shqiptarëve

Kurse, analisti Skënder Zogaj thotë se krimet e pazbardhura pazbardhura dhe autorët e tyre të pandëshkuar mbajnë hapur plagët e luftës dhe kësisoj mund edhe të përsëriten.

Image
Skënder Zogaj

Sipas tij, ngritja e aktakuzës për masakrën e Jasharëve është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i qëlluar.

“Zbardhja e krimeve të luftës është një detyrë jetike e të gjitha institucioneve shtetërore dhe qytetare të Kosovës. Krimet e pazbardhura dhe autorët e tyre të pandëshkuar mbajnë hapur plagët e luftës, cenojnë drejtësinë dhe lënë hapësirë që krime të tilla të relativizohen, të mohohen apo, në rrethana të tjera, të përsëriten. Por, edhe përtej këtij rreziku, një plagë e pazbardhur mbetet përherë e hapur për familjarët e viktimave. Ata nuk meritojnë ta përjetojnë dhimbjen e dyfishtë: humbjen e njerëzve të tyre të dashur dhe, njëkohësisht, mungesën e drejtësisë për krimin që ua mori ata. Në këtë kuptim, ngritja e aktakuzës për masakrën e Jasharëve është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i qëlluar në rrugën e zbardhjes së së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë”, deklaron Zogaj për “Bota sot”.

Fakti se 35 persona të dyshuar janë gjallë, sipas Zogajt, e bën edhe më të rëndësishëm procesin.

Sipas tij, zbardhja e plotë e krimit dhe identifikimi i autorëve do të ndihmonte në ndriçimin e një prej faqeve më të zeza të luftës në Kosovë.

“Rëndësia e kësaj aktakuze është e jashtëzakonshme, sepse ajo mbështetet në dëshmi dhe prova që synojnë të dokumentojnë krimin dhe të identifikojnë autorët e tij. Fakti se bëhet fjalë për 35 persona të dyshuar, të cilët, sipas aktakuzës, janë ende gjallë dhe mund të përballen me drejtësinë, e bën këtë proces edhe më të rëndësishëm. Tash i takon gjykatës që, mbi bazën e provave dhe në përputhje me ligjin, të japë verdiktin e saj. Efekti i këtij procesi është historik. Viktimat e masakrës së Jasharëve janë dëshmi konkrete dhe të pakontestueshme të tragjedisë që përjetoi Kosova gjatë luftës. Ata janë pjesë e kujtesës sonë kombëtare dhe dëshmi e çmimit të lartë që u pagua për lirinë. Prandaj, zbardhja e plotë e krimit dhe identifikimi i autorëve do të ndihmonte në ndriçimin e një prej faqeve më të zeza të luftës në Kosovë. Në Prekaz nuk u zhvillua një përballje e barabartë ushtarake. Aty u vranë civilë të paarmatosur, gra, fëmijë dhe pleq. Përmasat e kësaj masakre kërkojnë që drejtësia të flasë me gjuhën e provave, të fakteve dhe të përgjegjësisë individuale. Nuk është hakmarrja ajo që kërkohet, por drejtësia; jo dënimi i një populli, por përgjegjësia e atyre që kanë kryer krime. Procesi gjyqësor është rruga më e drejtë dhe më e besueshme për zbardhjen e së vërtetës”, thekson analisti.

Aktakuza për masakrën e Jasharajve, sipas Zogajt, mund të bëhet një dëshmi e fuqishme e përgjegjësisë konkrete për krimet e kryera ndaj shqiptarëve.

Zbardhja e masakrës do të jetë një hap i rëndësishëm drejt mbylljes së një plage të thellë të Kosovës, shton Zogaj.

“Aktakuza e ngritur për masakrën e Jasharëve, përmes identifikimit të personave të dyshuar dhe paraqitjes së provave, mund të bëhet një dëshmi e fuqishme e përgjegjësisë konkrete për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës. Drejtësia për viktimat e Prekazit nuk është vetëm një detyrim ligjor; është një detyrim njerëzor, historik dhe moral. Familjet e viktimave kanë të drejtë ta dinë të vërtetën, shoqëria ka të drejtë ta njohë historinë e saj dhe institucionet kanë për detyrë të sigurojnë që krimet e luftës të mos mbeten pa emër, pa përgjegjësi dhe pa drejtësi. Zbardhja e masakrës së Jasharëve do të ishte një hap i rëndësishëm drejt mbylljes së një plage të thellë të Kosovës dhe një dëshmi se, në fund, e vërteta dhe drejtësia duhet të triumfojnë mbi harresën, mohimin dhe pandëshkueshmërinë”, përfundon Zogaj.

Në listën e të rënëve të betejës së familjes Jashari janë Adem Sh. Jashari, Adile B. Jashari, Afete H. Jashari, Afije A. Jashari, Ajvaz K. Jashari, Ali R. Jashari, Avdullah Z. Jashari, Bahtije M. Jashari, Beqir B. Jashari, Besim H. Jashari, Blerim H. Jashari, Blerim Z. Jashari, Blerina H. Jashari, Bujar Z. Jashari, Elfije S. Jashari, Elheme U. Jashari, Faik T. Jashari, Fatime H. Jashari, Fatime S. Jashari, Fatime Xh. Bazaj, Feride R. Jashari, Fitim A. Jashari, Hajrije Z. Jashari, Hajzer Z. Jashari, Halil B. Jashari, Halit I. Jashari, Hamdi S. Jashari, Hamëz Sh. Jashari, Hamide A. Jashari dhe Hamit H. Jashari.

Në mesin e të rënëve janë edhe Hanife Z. Jashari, Hidajete R. Jashari, Igball R. Jashari, Igballe R. Jashari, Isak F. Halili, Kajtaz M. Jashari, Kushtrim A. Jashari, Lirie H. Jashari, Mihrije F. Jashari, Murtez Z. Jashari, Nazmi Z. Jashari, Osman Sh. Geci, Qazim O. Jashari, Qerim H. Jashari, Ramiz S. Jashari, Sabrije Z. Jashari, Sadik H. Jashari, Salë Sh. Jashari, Selvete H. Jashari dhe Shaban M. Jashari.

Lista përmbyllet me Shahin Q. Jashari, Sherif B. Jashari, Sinan R. Jashari, Smajl A. Jashari, Smajl Xh. Bazaj, Ukshin Q. Jashari, Valdete R. Jashari, Zahide Sh. Jashari dhe Zarife B. Jashari. Mes tyre kishte fëmijë, gra, burra dhe të moshuar.

Të Ngjashme