Lajme

28 vjetori i masakrës në Rahovec- Teqeja që u bë strehë për civilët

Është oborri i Teqesë në Rahovec.

E në korrikun e vitit 1998, ky vend u mbush me mijëra banorë të kësaj ane.

Për shumë prej tyre, Teqeja ishte parë si një hapësirë e sigurt ku mund të mbroheshin nga sulmet serbe.

Por, më 17 korrik, Sheh Myhedini kishte një tjetër paralajmërim për ta.

Ai u kërkoi qytetarëve të largoheshin nga Teqeja dhe të shpërndaheshin në fshatrat përreth.

Kjo pasi sipas tij forcat serbe nuk do të ndaleshin as para këtij objekti.

“Kërsiti lufta me 17 korrik edhe erdhi masa, besimtar, njerz 2000 vetë në teqe. Kur erdhen në teqe shehu u qet të gjithëve kafe, ujë, të gjithëve me pi edhe ju thotë duhet me dal. Thojnë pse baba sheh na jem këtu. Thotë jo se do të bëhet një masakër e madhe se shkau nuk ka besë” , u shpreh Lulzim Shehu.

Për këtë arsye nga kjo derë, Shehu vendosi fëmijët e tij përpara dhe popullin pas tyre, ndërsa vetë qëndroi në Teqe.

Por, pak metra më tej, te xhamia, në pritje iu dolën forcat serbe.

“E qel deren e thotë është fëmijët e mij përpara ju jeni populli mas. Kur jemi dal tek xhamia jom kon edhe unë aty. Jemi dal na dul tenka përpara, por tenka ka gjujt përpjetë. Kur e pan që masa nuk po stërvitet vetëm po i qon durt përpjetë u dorzu… Nja shtatë a tetë i kanë vra. Kur panë që masa ja nisu mu stërvit e pan që nuk është shehu aty. Se kan mendu që shehun e kemi vendos në mes me e mshef. Tani e ndërprejten”, thotë Shehu.

Ndërkohë, në Teqe kishin mbetur vetëm Shehu, hyzmeqari dhe një grua e palëvizshme.

Por, fundi për të tre ishte i njëjtë.

“Të hanen e vran hyzmetqarin mas anej e vrajn Sheh Myhedinin. Hyzmetqarin e vrajnë në ball, Sheh Myhedinin e vrajn prej përmasi me tre plumba, por jo atë ditë port ë marten me 21 korrik. Motren teme e kanë plagos rrugës anej”, shprehet ai.

Gjatë luftës, objektet fetare ishin shënjestër e sulmeve.

Në mesin e tyre ishte edhe xhamia pranë teqesë.

“E qetë kapuqin edhe lyp me dal përjasht. Unë qetu jom kon. Daji i vet po i  thotë: Babë ku po shkon mos del. Ai i thotë punt e mija jonë. E qetë kapuqin e del e unë mas atij jom kon jom dal me e ngu. Edhe i thotë ai serbisht: Ju lutem nuk e du një plumb as në xhami as në teqe. Kush ka punë me xhami e me teqe që ku është Sheh Myhedini”, tregon Lulzim Shehu.

Më 19 korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec shumë shqiptarë u vranë e u plagosën.

Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë, si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, ndërsa gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.

 

Të Ngjashme