Protesta e mbajtur sot në Prishtinë, në shenjë revolte pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ka përfunduar, por protestuesit kanë paralajmëruar se mobilizimi për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale do të vazhdojë edhe ditëve në vijim.
Dhjetëra qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës u mblodhën në kryeqytet, duke nisur marshimin para Ministrisë së Drejtësisë. Protestuesit më pas vazhduan drejt Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe objektit të Policisë së Kosovës, për ta përmbyllur protestën para ndërtesës së Qeverisë.
Gjatë marshimit, qytetarët shprehën pakënaqësinë ndaj institucioneve përgjegjëse përmes parullave dhe thirrjeve, ndër të cilat “Shteti i ka duart me gjak”, “Rahat s’kena me iu lon” dhe “Jepni dorëheqje”.
Ndryshe, të premten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar kërkesën për dorëheqje të Gazmend Hoxhës, duke e liruar atë nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
