Të paktën 30 ushtarë të KFOR-it mbetën të lënduar nga këto sulme.
Tre prej tyre morën lëndime nga predhat e armëve, ndërkaq disa nga ta u detyruan që t’i amputojnë gjymtyrët shkaku i lëndimeve të marra.
Pa lëndime nuk mbetën as pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Për këto ngjarje të majit të vitit 2023, nuk është vënë drejtësia ende në vend.
Para disa ditësh nën dyshime për pjesëmarrje në këto sulme, u arrestua Igor Markoviq.
Ndaj tij, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
Një përfundim të tillë, kërkohet ta kenë secili prej këtyre sulmuesve.
“Ata sulmuesë të cilët në vitin 2023, por edhe sulmuesit e tjerë të mëvonshëm që sulmuan Policinë e Kosovës, kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, kanë qenë kundër sovranitetit të tërësisë territoriale të vendit, në bazë të provave dhe fakteve duhet të arrestohen dhe të dërgohen para drejtësisë”, shprehet Refki Morina, kolonel në pension.
Vënia para drejtësisë e pjesëmarrësve në sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, vlerësohet se jep mesazh se askush nuk mbetet pa dhënë llogari.
“Pra, nuk ka më të fortë as të veriut e as të jugut, as shqiptarë e as serbë. Do t’iu vijë koha të gjithëve dhe kjo është tregues i fuqisë së shtetit, institucioneve të sigurisë dhe institucioneve të drejtësisë. Dhe është tregues që nuk do të ketë asnjë amnestim dhe asnjë përjashtim ose falje të kujtdo i cili është pjesë e këtyre strukturave ose bandave kriminale që kanë kryer krime të ndryshme, veçanërisht ato të ndjeshmërisë së lartë, sulme ndaj personave zyrtar”, vlerwson Asdren Bytyqi –avokat.
Sulmi në Zveçan erdhi si pasojë e kundërshtive që serbët lokalë kishin ndaj hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në katër komunat veriore, pas zgjedhjeve të prillit të atij viti.
