ShowBizzz

30 vjet më vonë, një ish-drejtues bande do të gjykohet për vrasjen e Tupac Shakur

Pas tri dekadash misteri dhe teorish konspirative, një nga krimet më të famshme të botës së muzikës po shkon drejt një epilogu gjyqësor.

Në Las Vegas ka nisur procesi ndaj Duane “Keffe D” Davis, ish‑drejtues bande, i akuzuar për vrasjen e reperit legjendar Tupac Shakur më 7 shtator 1996.

Davis, sot 63 vjeç, përballet me akuzën e vrasjes me armë për të avancuar aktivitetin e një bande kriminale.

Ai ka deklaruar se është i pafajshëm, por nëse shpallet fajtor, rrezikon burgim të përjetshëm.

Procesi ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore, jo vetëm për figurën e Tupac, por edhe për faktin se për dekada me radhë kjo çështje mbeti e pazgjidhur.

Provat kryesore kundër Davis lidhen me deklaratat e tij publike. Në librin autobiografik të vitit 2019, Compton Street Legend, ai pranoi se kishte siguruar armën e krimit.

Në intervista të ndryshme, ka rrëfyer se ndodhej në makinën nga ku u qëllua Tupac.

Megjithatë, mbrojtja e tij pretendon se libri është pjesërisht “trillim” dhe i shkruar nga një autor fantazmë.

Ngjarja e vitit 1996 ndodhi pas një ndeshje boksi të Mike Tyson në MGM Grand. Tupac dhe njerëzit e tij sulmuan Orlando Anderson, nipin e Davis dhe anëtar të bandës Crips.

Vetëm pak orë më vonë, një Cadillac e bardhë iu afrua makinës ku ndodhej Tupac me Suge Knight dhe hapi zjarr.

Reperi u qëllua katër herë dhe vdiq gjashtë ditë më pas.

Për vite me radhë, hetimet ngecën për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga dëshmitarët, frikës nga hakmarrja e bandave dhe mungesës së provave fizike.

Shumë persona të përfshirë u vranë në ngjarje të tjera të lidhura me bandat, duke e bërë edhe më të vështirë zbardhjen e rastit.

Prokurorët kanë përgatitur një listë me mbi 200 dëshmitarë të mundshëm, mes tyre familjarë të Tupac, ish zyrtarë lokalë dhe ish policë.

Vrasja e Tupac Shakur e shndërroi atë nga një yll i gangsta rap në një ikonë kulturore dhe martir.

Muzika dhe aktivizmi i tij, i lidhur ngushtë me lëvizjen e Panterave të Zeza, vazhdojnë të frymëzojnë breza të rinj.

Të Ngjashme