Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme në Tiranë, forcat e rendit kanë arrestuar katër shtetas dhe kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 7 të tjerë. Të arrestuarit janë shtetasit K. N. (24 vjeç), M. K. (19 vjeç), B. M. (19 vjeç) dhe Z. N. (34 vjeç), të cilët akuzohen se kanë kundërshtuar e goditur me sende të forta dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë, si dhe kanë bllokuar qarkullimin e dogjën kazanë mbeturinash.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesat e personave të përfshirë, strukturat e policisë kanë sekuestruar provash material. Konkretisht, shtetasit K. N. “iu gjetën një sasi lënde narkotike kanabis dhe një send metalik shpues, ndërsa gjatë kontrollit të banesës iu gjetën një send imitues i armës së zjarrit dhe 50 sfera”. Po ashtu, policia ka sekuestruar edhe mjete të tjera të përdorura gjatë përplasjeve, përfshirë “mjete për të hedhur gurë dhe sfera metalike”.
Në aspektin e masave ndëshkuese administrative, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026 (neni 24/1, pika 2), janë plotësuar 12 procesverbale për kundërvajtje të konstatuara gjatë protestës. Ndër to, “njëra prej masave administrative, në vlerën 500 000 lekë, është vendosur ndaj një shtetasi, i cili, i maskuar me kapuç, ka kryer veprime të dhunshme, duke goditur me gurë në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinës së Kryeministrisë”, duke shpërfillur thirrjet e njëpasnjëshme të forcave të rendit për ndërprerjen e dhunës.
Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, po vijojnë punën për “dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore”, ndërsa materialet procedurale i janë kaluar zyrtarisht organit të akuzës.
