Një ngjarje tronditëse është shënuar ditën e sotme në Krujë, ku një 42-vjeçare pasi ka sjellë në jetë foshnjën e saj e ka futur në qese dhe e ka hedhur në lumin Tapizë.
42-vjeçarja Leta Koçi fëmijën e ka lindur në kushte shtëpie, ndërsa askush nuk e dinte se ishte shtatzënë. Madje edhe bashkëshorti i saj para uniformave blu është shprehur se nuk e ka ditur që gruaja ishte shtatzënë.
42-vjeçarja nënë e tre fëmijëve të mitur, pas lindjes ka shkuar në spital pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore, ku mjekët kanë zbuluar se gruaja s’kishte shumë orë që kishte lindur. Ajo para hetuesve është shprehur se fëmija ka lindur i vdekur dhe ndaj e ka hedhur në lum, teksa ka refuzuar të tregojë se ku e ka hedhur ekzaktësisht, duke pretenduar se nuk e mban mend.
Policia ka nisur kërkimet në lumin e Tapizës, por foshnja nuk është gjetur pasi dyshohet se e ka marrë rrjedha e lumit. Hetuesit e kanë marrë me rezerva deklaratën e saj që fëmija ka lindur i vdekur dhe për këtë arsye po hetohet për veprën penale “vrasja e foshnjes”.
Nuk dihet shkaku që ka çuar 42-vjeçaren në këtë akt të tmerrshëm që të fus fëmijën e saj në qese dhe më pas ta hedh në lum.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaluan shtetasen L. K., 42 vjeçe, banuese në Tapizë, për veprën penale “Vrasja e foshnjes”.
Kjo shtetase, ditën e sotme, rreth orëve të mëngjesit, dyshohet se pasi ka lindur foshnjen në ambientet e banesës së saj, duke pretenduar se ka lindur e vdekur, e ka futur në një qese dhe më pas e ka hedhur në bregun e lumit të Tapizës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia më herët për ngjarjen.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo