Shëndetësi

5 ushqimet që mund të shkaktojnë alergji, madje edhe vdekjeprurëse!

Mund t’i quajmë “vrasësit” e ushqyerjes, jo sepse janë në vetvete të rrezikshëm. Përkundrazi, zakonisht janë të shëndetshëm. Megjithatë, në disa raste mund të shndërrohen në një armë, madje edhe vdekjeprurëse, që kthehet kundër nesh.

Kështu i ka përkufizuar Shoqata Italiane e Alergologjisë, Astmës dhe Imunologjisë Klinike (SIAAIC), duke listuar pesë produktet ushqimore me risk për alergji të rënda në Itali.

“Në Itali janë qumështi, vezët, kikirikët dhe frutat me lëvozhgë, krustacet dhe peshku”, shpjegoi Cristiano Caruso, sekretari i SIAAIC.

“Në Shtetet e Bashkuara, në krye janë kikirikët, ndërsa në vendet skandinave është peshku. Janë alergji që shpesh shfaqen që në fëmijëri”, pohoi ndër të tjera ai.

Këtë e konfirmon profesori Alessandro Fiocchi, drejtor i Njësisë së Alergologjisë në Spitalin Pediatrik Bambino Gesù në Romë.

“Prekin 1 fëmijë në 50, me 16% të rasteve në formë të rëndë. Mund të shfaqen në çdo moshë, me konsumimin e ushqimit që i shkakton. Fëmija më i vogël alergjik që kam trajtuar? Ishte 5 ditësh dhe ishte intolerant ndaj qumështit”, thekson Fiocchi.

Çfarë janë alergjitë ushqimore?

Kur flasim për alergji ushqimore, i referohemi një reagimi të padëshiruar të shkaktuar nga një përgjigje specifike dhe e përsëritshme e sistemit imunitar ndaj një ushqimi të caktuar. Nuk ekziston një regjistër i saktë i fenomenit, megjithatë, ekspertët vlerësojnë se të paktën 4–5% e italianëve vuajnë prej tyre dhe 1 në 10 prej këtyre është në rrezik për shok anafilaktik.

Alergjitë ushqimore janë në rritje, ndryshe nga ato respiratore që janë të qëndrueshme, veçanërisht ndaj frutave me lëvozhgë dhe kikirikëve. Ato prekin më shpesh fëmijët dhe ndryshojnë sipas zonave gjeografike.

Çfarë i shkakton?

Sipas ekspertit Fiocchi, faktorët janë të shumtë duke filluar nga rritja e higjienës, varfëria e mikrobiomës intestinale te fëmijët, përdorimi më i madh i antibiotikëve në moshë të vogël, rritja e lindjeve me prerje cezariane, urbanizimi, mungesa e kontaktit me natyrën dhe kafshët, si dhe ndryshimet në stilin e jetesës moderne.

Cilat janë disa nga simptomat?

Forma më e rëndë është reaksioni anafilaktik, i cili shfaqet brenda sekondave ose minutave pas ekspozimit ndaj ushqimit alergjik dhe prek lëkurën, rrugët e frymëmarrjes dhe sistemin kardiovaskular. Simptomat përfshijnë kruarje, urtikarie, ënjtje të buzëve dhe gjuhës, të përziera, vështirësi në frymëmarrje dhe ulje të menjëhershme të presionit të gjakut. Pa ndërhyrje të menjëhershme, mund të jetë fatale brenda pak minutash.

Çfarë duhet bërë? Në këto raste duhet thirrur menjëherë urgjenca dhe, në rastet e njohura, duhet injektuar adrenalinë me autoinjektor. Pacienti duhet të mbahet shtrirë dhe të mos lihet vetëm deri në ardhjen e ndihmës mjekësore.

A shërohen alergjitë ushqimore?

Disa alergji mund të zhduken me kalimin e viteve, të tjera mund të përkeqësohen ose të shfaqen të reja. Disa (si alergjia ndaj qumështit) shpesh zhduken brenda 2–3 viteve, ndërsa të tjera si peshku apo frutat me lëvozhgë zakonisht zgjasin gjatë gjithë jetës./La Republika

Të Ngjashme