Është pikërisht ky moment shpërqendrimi kur mashtruesit hidhen në veprim…
“Paratë sjellin para”, thotë një proverb popullor, të cilin kriminelët po e shfrytëzojnë me përpikëri këto ditë për të joshur viktimat e tyre. I tillë është rasti me këtë mashtrim të ri dhe të sajuar mirë. Me të mbërritur në parking, mundësisht një nga ato të mëdhatë në një qendër tregtare ose supermarket, shoferi gjen një kartëmonedhë 50 euro në xhamin e përparmë, nën fshirësen e xhamit. Është një kartmonedhë false, por, duke mos e ditur këtë, kush nuk do t’i rezistonte ta merrte? Kështu përfundon në një kurth, sepse mashtruesit, që fshihen aty pranë, hidhen në veprim, duke i grabitur viktimës së pafat, sendet personale të lëna më parë në makinë, nëse jo edhe vetë makinën.
Teknika është shumë e thjeshtë. Kriminelët, në parkingje të mëdha publike, si ato pranë qendrave tregtare dhe supermarketeve, ose në zona tregtare të ngarkuara, zgjedhin shënjestrën e tyre, kryesisht shoferët ose korrierët, dhe vendosin një kartëmonedhë të falsifikuar 50 euroshe nën fshirësen e xhamit të përparmë. Viktima e mashtrimit kthehet në automjet, hyn në makinë si zakonisht, duke vendosur sendet personale brenda dhe duke e ndezur makinën, por kur vëren kartëmonedhën dhe më pas del nga makina për ta marrë atë ndodh hataja.
Është pikërisht ky moment shpërqendrimi kur mashtruesit hidhen në veprim. Ata futen fshehurazi për të vjedhur sende me vlerë të lëna në sedilje ose, në skenarin më të keq, ikin direkt me makinën. Policia rekomandon të ndiqni disa masa paraprake për të shmangur rënien pre e këtyre mashtrimeve. Mos dilni nga makina nëse vini re një kartëmonedhë ose objekt të dyshimtë në xhamin e përparmë pasi të keni hyrë. Këshilla tjetër është të ndizni makinën dhe të largoheni në një vend të sigurt larg parkingut për të kontrolluar paratë në xhamin e përparmë. Vetëm atëherë duhet të fikni motorin, të dilni nga makina, të kyçni dyert dhe të kontrolloni kartëmonedhat, të cilat rezultojnë të falsifikuara.
