
1
Sot po festojmë 50 vjetorin e një zëri që la gjurmë të pashlyera në historinë e Malësisë dhe shqiptarëve. Zërin që me plotë fjalë i dha titullin “Ambasador i Malësisë” z. Nikollë Nikprelaj.
Nga Bëkajt e Trieshit të Malësisë, para 50 vitesh do fillonte si amater i këngës popullore zëri i një djaloshi që do bënte për vete gjithë Malësinë e trevat shqiptare. Ai zë do rrëmbente shpirtrat e mijëra e mijëra shqiptarëve. Zëri i tij erdhi në momente të vështira historike e që u bë zë shprese dhe adrenaline që sa dekada me radhë.
Zëri i tij karakteristik u vlerësua lart, me dekorata shtetërore si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Nikolla filloi i ri të këndonte. E dëgjoj shpesh këngën e tij të parë që titullohej “Nëpër majet e bjeshkëve të Maleve të Malësisë”.
Dashuria për atdheun në këngët e Nikollës ishte e pakufishme. I këndoi vendlindjes, heronjve, trimave atdhetarë. Këtu mund të përmendim këngët: Këngë për Gjergj Kastriotin; Dedë Gjon Luli i Traboinit; Lufta e Deçiqit; Tring Smajles; Nora e Kelmëndit; Prëk Calit; Gjon Gjekës Lucaj; Nol Gjon Vatës; Këngë për Baca Kurtin; Kapiten Gjelosh Lulit; Jem ilira jem Teuta; U këndoftë Hymni gjithëkombëtar; Këngë për Kojën, Zef Miliqit etj.
Kënga epike është bazamenti i Nikollës. Folklori ishte foleja e tij. Këndoi këngë folklorike, këngë dashurie, balada etj. Mbahen mend si këngë të pavdekshme edhe; Barbana; Teuta etj. Fyelli e Lahuta në duart e Nikollës kanë tingëllur hijshëm.
Gjatë luftës së Kosovës, zëri i Nikollës u bë burim frymëzimi për ushtarët e UÇK-së dhe popullin e Kosovës. Kujtohen edhe sot këngët: Moj Kosovë tu ndjeht e mira; 7 milion vllazen e motra; A durohet shkjau në oborr; Këngë për Adem Jasharin; Bashkimi Kombëtar; Drenica; T’fala të çon Malësia motër; Prej një nane jemi; Oj Kosovë e Kuqe etj.
Këngët e Nikollës janë të shumta, sa që unë si një adhurues i këngëve të tij do mund të flisja me ditë e muaj, por deshta të veçoj vetëm disa pjesë me të cilat Nikolla fitoi pavdeksinë. Sa herë që kam menduar, besuar e parë që Malësia është në situatë jo të mirë politiko-sociale, doja ta këndoja këngën e Nikollës: Çohu Malësia të shitoftë zana.
Sa herë që familje malësore largoheshin nga Malësia për në mërgim, doja ta këndoja këngën: Ju thërret Malësia e Madhe!
Sa herë që vinin përvjetore të Kryengritjes së Malësisë dëgjoja këngën:
Këndoj kangen e Malësisë,
Krenaria e Shqiptarisë,
Disa herë t’kanë djegë e pjekë,
Jo s’të mbyten as nuk ke vdekë;
Luftë ndër shekuj, luftë gjithmonë,
O moj Krenaria jonë……
Sa herë ti bjerë rrezja e diellit Malësisë, sa herë bora ta mbulojë Kazhenikun, sa herë të shohim shtëpi të zbrazura e vende të braktisura, sa herë të kujtohen trimëritë e Maleve të Malësisë, sa herë të dëgjohen këngët e kreshnikëve, sa herë të dëgjohen zogjtë duke këndua, sa herë të dëgjohet zëri i fyellit e ushtima e Lahutës, e sa herë ta dëgjoni ushtimat e erërave të bjeshkëve tona do ta kujtoni e dëgjoni përherë këngën e pavdekshme: T’fala u çon Nikollë Nikprelaj!
Kush e di sa dekada e ndoshta edhe shekuj do kalojnë e nuk jam i sigurtë nëse do mund të persëritet një këngëtar i këngës popullore si Nikollë Nikprelaj. Me shpresë që edhe shume dekada të tjera do e dëgjojmë zërin tënd, paraprakisht të uroj ketë vit jubilar!
ks