Numri i aksidenteve të trafikut në Kosovë është në rritje.
Të dhënat e Policisë së Kosovës, të siguruara nga kp, tregojnë se brenda shtatë muajve të parë të këtij viti janar – korrik, kanë ndodhur gjithsej 12 mijë e 446 aksidente.
Prej tyre, 55 kanë qenë aksidente fatale, 58 me persona të vdekur, 5007 aksidente me lëndime, 9184 me persona të lënduar dhe 7384 aksidente me dëme materiale.
Brenda periudhës së njëjtë, vitin e kaluar ndodhën gjithsej 13 mijë e 235 aksidente. Prej tyre, 52 kanë qenë aksidente fatale, 59 me persona të vdekur, 4854 aksidente me lëndime, 9285 me persona të lënduar dhe 8329 aksidente me dëme materiale, ndërsa u shqiptuan 448 mijë e 661 gjoba.
Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj për KosovaPress vë në dukje pesë faktorët që shkaktojnë aksidente. Sipas tij, elementi shpejtësi i faktorit njeri është fajtor në 95 për qind të rasteve.
Dedaj: Shpejtësia është fajtore në 95 për qind në rastet e aksidenteve
“Shkaktarët e aksidenteve të komunikacionit rrugor janë faktori njeri, faktori rrugë, faktori automjet, faktori komunikacioni rrugor dhe faktori incident. Këta janë pesë faktorët që drejtpërdrejtë, përmes elementeve të tyre ndihmojnë ose janë shkaktarë të aksidenteve në komunikacionin rrugor. Elementi shpejtësi i faktorit njeri është shkaktar i hiq më pak se 90-95 për qind të aksidenteve, sidomos të atyre me fatalitet, me lëndime trupore dhe dëme materiale”, tha Dedaj.
Gjatë periudhës janar- korrik të këtij viti Policia e Kosovës shqiptoi 469 mijë e 9 gjoba shoferëve.
Për parandalim të aksidenteve të trafikut, Policia e Kosovës harton plane operative dhe bën fushata si masë parandaluese.
“Policia, për të parandaluar aksidentet në trafik, në vazhdimësi analizon të dhënat rreth sigurisë në trafik, harton plane operative, bënë fushata dhe si masë parandaluese/ndëshkuese gjobitë shkelësit në trafik. Po ashtu, në vazhdimësi apelojmë tek pjesëmarrësit në trafik, në veçanti ndaj ngasësve të automjeteve, që: të respektojnë rregullat në trafik dhe të përqendrohen në ngasje të automjetit”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Policisë së Kosovës.
Ndërsa, Dedaj shpreh pikëpamjen se krijimi i ligjit të sigurisë së komunikacionit do të ndikonte që brenda 10 vjetësh numri i aksidenteve do të bjerë madje 50 për qind.
Dedaj: Përmes krijimit të ligjit së sigurisë së komunikacionit do të zvogëlohej numri i aksidenteve
“Krijimi i ligjit të sigurisë së komunikacionit, në kuadër të atij ligji pastaj futet strategjia, instituti, agjencia që merret me masa preventive që sigurisht duhet të ketë një buxhet shtetëror. Në këtë formë do të kishim pasur mundësi brenda dy viteve, unë flas brenda gjashtë muajve, që të bëjmë hulumtime të tilla dhe të marrim masa preventive për parandalimin e aksidenteve, brenda strategjisë 10 vjeçare, 50 për qind e numrit të aksidenteve duhet të zvogëlohet’, shtoi ai.
Ndër qytetarë shihen me shqetësim përmasat tragjike të aksidenteve të trafikut në Kosovë.
Liridon Fazliu vetë kishte pësuar aksidentalisht, por fatmirësisht pa lëndime të mëdha.
Fazliu: Më kanë shkelur duke u munduar t’u tregojë si të hyjnë në parking
“Më kanë shkelur duke u munduar t’u tregojë se si të hyjnë në parking. Shumë pak kam qenë i lënduar. Shpresoj se ndalen se shumë po ndodhin. Në tabelë shkruan 80 kilometra, ai vozit 200. Del ndonjë fëmijë, ta shkel fëmijën. Thotë ‘më fal’, s’mundesh me ia fal se gjynah”, tha Fazliu.
Sabit Hoxha, një qytetar tjetër, fajëson shoferët për aksidentet e trafikut.
Hoxha: Çdo qytetar është përgjegjës për ngasjen e veturës, zakonisht është fajtor për aksidentin
“Patjetër. Çdo qytetar është përgjegjës për ngasjen e veturës vetë edhe zakonisht është fajtor për aksidentin. Se çka me ndryshuar, me rregulluar rrugët edhe me qenë qytetarët më të përgjegjshëm”, tha Hoxha.
Leonard Krasniqi është i mendimit se duhen të vendosen më shumë kamera dhe qytetarët të kenë më shumë kujdes.
Krasniqi: Duhet të vendosen më shumë kamera, të ketë më shumë kujdes
“Besoj që institucionet duhet ndryshuar sa më shpejt. Duhet të vendosen kamera. Të ketë më shumë kujdes, për shkak se nuk duhet të ndodhin aksidente. Fatkeqësisht, numri i madh i aksidenteve nuk është diçka e re. Shpresoj do të ndalet kjo dukuri negative. Atyre që kanë bërë aksident, shërim sa më të shpejtë. Duhen të ndërmerren këto masa”, tha Krasniqi.
Përveç shpejtësisë, si shkaktar i shpeshtë i aksidenteve të trafikut konsiderohet edhe përdorimi i telefonave mobilë gjatë ngasjes së automjeteve.
