Lajme

6 gushti, testi vendimtar: Paralajmërohen pasoja të rënda nëse dështon konstituimi i Kuvendit

Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se caktimi i seancës konstituive për 6 gusht është një moment vendimtar për tejkalimin e ngërçit institucional, ndonëse ka kritika se ajo është thirrur shumë vonë. 

Sipas tyre, vonesat kanë krijuar hapësirë për tensione politike dhe përpjekje për të zhvendosur përgjegjësinë te partitë opozitare. 

Ata theksojnë se suksesi i seancës do të varet nga gatishmëria e subjekteve politike për kompromis dhe nga vendosja e interesit shtetëror mbi interesat partiake. 

Në të kundërtën, paralajmërohet se kriza institucionale mund të thellohet dhe të rriten gjasat për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. 

Sipas tyre, funksionalizimi i institucioneve është i domosdoshëm për stabilitetin politik dhe përballjen e Kosovës me sfidat e brendshme dhe ndërkombëtare.

Nijazi Halili: 6 gushti është test i pjekurisë politike, jo vetëm afat procedural

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë, Assoc. Prof. Dr. Nijazi Halili, vlerëson se caktimi i datës 6 gusht për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës përbën një moment të rëndësishëm politik dhe institucional.

Image
Nijazi Halili

“Caktimi i datës 6 gusht për mbajtjen e seancës konstituive paraqet një afat të rëndësishëm politik dhe institucional. Vendimi për të lënë një periudhë kohore për konsultime ndërmjet subjekteve politike tregon një përpjekje që procesi i krijimit të institucioneve të mos shkojë drejt një bllokade të re politike”, deklaroi Halili, për ‘Bota sot’.

Sipas tij, mundësia që partitë politike të arrijnë marrëveshje deri më 6 gusht varet nga gatishmëria e tyre për kompromis.

“Gjasat që partitë politike të arrijnë një marrëveshje varen nga vullneti politik për kompromis dhe nga aftësia e liderëve institucionalë për ta vendosur interesin shtetëror mbi kalkulimet afatshkurtra partiake”, tha ai.

Halili theksoi se zgjedhja e Presidentit ka qenë tradicionalisht një nga çështjet më të ndjeshme në skenën politike të Kosovës.

“Çështja e Presidentit ka qenë gjithmonë një pikë e ndjeshme, sepse ky institucion nuk ka vetëm funksion kushtetues, por edhe një rol simbolik në përfaqësimin e unitetit të qytetarëve dhe të shtetit”, u shpreh ai.

Ai shtoi se arritja e një marrëveshjeje për një kandidat me mbështetje më të gjerë do t’i hapte rrugë tejkalimit të ngërçit institucional.

“Nëse partitë arrijnë marrëveshje për një kandidat që gëzon mbështetje më të gjerë politike dhe shoqërore, atëherë ekziston mundësia që procesi të ecë përpara. Por, nëse dialogu mbetet i kushtëzuar vetëm nga interesat partiake, rreziku i zgjatjes së krizës institucionale mbetet real”, deklaroi Halili.

Duke folur për sfidat me të cilat përballet vendi, ai theksoi se funksionalizimi i institucioneve është jetik për të ardhmen e Kosovës.

“Kosova ka nevojë për stabilitet politik, veçanërisht në një periudhë kur përballet me sfida të rëndësishme në planin e integrimit evropian, zhvillimit ekonomik, sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Institucionet funksionale janë parakusht për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

Në fund, Halili theksoi se 6 gushti duhet të shihet si një provë e përgjegjësisë politike të partive parlamentare.

Data 6 gusht nuk duhet të shihet vetëm si një afat procedural, por si një test i pjekurisë politike të subjekteve parlamentare. Arritja e një marrëveshjeje do të ishte një sinjal pozitiv për demokracinë dhe stabilitetin institucional, ndërsa dështimi për kompromis do ta thellonte perceptimin e krizës politike”, përfundoi Halili.

Analisti politik Jeton Kelmendi vlerëson se caktimi i seancës konstituive në prag të afatit kushtetues është bërë me qëllim

Kurse, analisti politik Jeton Kelmendi e konsideron të gabuar caktimin e seancës konstituive për 6 gusht, duke e cilësuar këtë si një veprim të qëllimshëm.

“Mendoj se thirrja e seancës konstituive për datën 6 gusht, pra një ditë para skadimit të afatit, është një gabim i qëllimshëm”, deklaroi Kelmendi.

Image
Jeton Kelmendi

Ai tha se, sipas tij, edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është përfshirë në përpjekjet për të gjetur një “fajtor kujdestar” për situatën e krijuar.

“Edhe Lumir Abdixhiku i është bashkuar kolonës së atyre që kërkojnë të gjejnë fajtorin kujdestar, ndërsa tentohet që ai fajtor të jetë LDK-ja”, u shpreh ai, për ‘Bota sot’.

Duke folur për zhvillimet brenda LDK-së, Kelmendi tha se çdo vendim ndaj Abdixhikut do të ketë pasoja politike.

“Nëse Lumir Abdixhiku shkarkohet, kjo do të marrë përmasa më të mëdha politike. Nëse nuk shkarkohet, atëherë kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në dobësimin e kërkesave për reformimin e LDK-së”, tha ai.

Sipas Kelmendit, seanca konstituive është dashur të thirrej shumë më herët, ndërsa negociatat politike të zhvilloheshin pas konstituimit të Kuvendit.

“Seanca është dashur të thirrej qysh më herët, të konstituohej Parlamenti dhe më pas të zhvilloheshin negociatat. Madje, këto negociata është dashur të nisin që kur ende nuk ishin certifikuar rezultatet”, deklaroi ai.

Në fund, Kelmendi vlerësoi se vonesat janë pjesë e një strategjie politike.

“Të gjitha këto janë bërë me qëllim që të përgatitet terreni për zgjedhje të reja”, përfundoi ai.

Të Ngjashme